>
BIOSHQIP

Marsela Cibukaj: Planet E Mia Si Të Bridget Jones

16-12-2012
Intervistat me të janë gjithnjë të mbushura me muzikalitet, duke qenë se tashmë muzika dhe çdo derivat i saj janë pasioni kryesor i Marsela Çibukaj. Një tjetër aktivitet i rëndësishëm dhe me peshë është duke u afruar për këngëtaren simpatike, e për këtë arsye ajo na ka rrëfyer me emocion pjesëmarrjen e saj në festivalin e fundivitit në RTSH. Sipas Çibukaj tre janë arsyet bazë se përse ky kompeticion merr një rëndësi më të veçantë nga aktivitetet e tjera, ku ajo është bërë pjesë.

"Festivali është një kompeticion kombëtar ku prej 51 vjetësh kanë marrë pjesë këngëtarët më të famshëm dhe më të shquar të ambjentit artistik shqiptar si dhe ka rëndësi në nivel kombëtar. E dyta ka të bëjë me llojin e publikut që çdo vit e ka ndjekur festivalin , i cili vlerëson muzikën e mirë dhe të mirëfilltë dhe nuk fokusohen në muzikën dance apo në atë komerciale, por në diçka më të kërkuar. Arsyeja e tretë me rëndësi është performimi me një orkestër, në të cilën marrin pjesë më shumë se 70 elementë si dhe të këndosh live në një skenë kaq të madhe. Është një emocion që duhet të dish ta kontrollosh."

Provat për netët e festivalit kanë nisur të jenë më intensive e për këtë arsye këngëtarja me buzëqeshjen e ëmbël shprehet se kërkon të japë maksimumin. Ajo nuk është asnjëherë e kënaqur me rezultatin pasi kërkon gjithnjë më shumë nga vetja duke konsideruar dhe ndrojtjen e saj. "Dje takova një violiniste që kishte qenë rreth
35 vjet në festival dhe ka shoqëruar me violinë këngëtarë me emër si Vaçe Zelën dhe ajo do të më shoqëroi edhe mua. Ishte një emocion i madh të them të drejtën. Ndonëse jam pak e ndrojtur deri tani gjërat kanë shkuar shumë mirë". Materiali muzikor me të cilin Marsela do të prezantohet është një pop baladë e titulluar "Mijëra netë", e cila trajton temën e dashurisë.

E në fakt, e pyetur mbi këtë temë ndonëse vë paksa buzën në gaz këngëtarja shprehet se momentalisht i është dedikuar vetëm një dashurie, muzikës. "Është një periudhë ku mendoj më shumë për jetën time profesionale sesa atë personale duke qenë se edhe familja ime është larg dhe nuk kam një jetë bashkëshortore (qesh), jam fokusuar tek pjesa profesionale sepse fundja ishte kjo që unë doja, të fokusohesha tek muzika."E qeshur, e çlirët dhe me një tip mjaft bohemian nuk mund të mos na binte në sy edhe pamja e saj e jashtme. E veshur në stil amerikan i cili të kujtonte modën retro të viteve '60, me një bandanë të vendosur në kokë dhe me një buzëkuq të fortë të kuq, Marsela thotë se për të natyraliteti është mbi gjithçka "Kam një amanet nga gjyshja ime për flokët që të mos i lyej apo t'i ndryshoj ngjyrën. Në përgjithësi adhuroj natyralitetin nuk më pëlqejnë kur femrat prekin trupin e tyre me operacione. Jam kundra tyre dhe i justifikoj vetëm
kur kanë ndonjë defekt anatomik që provokon problem shëndetësor.

Sa i përket veshjes time nuk kam ndjekur një stilist në veçanti, por i kam ndjekur emrat e njohur dhe që i përshtaten gustove të mia. Mendoj se veshja ka të bëjë kryesisht me formën e fizikut që njeriu ka, pasi ndodh që nuk mund të përshtatesh gjithmonë me atë që gjen në dyqane. Për mua më e bukura e veshjes, të cilën e konsideroj dhe si një formë arti, është se mund të shprehësh fantazinë dhe të abinosh ngjyrat, modelet etj. Jam munduar gjithnjë t'i përshtatem publikut tim dhe gustove të mia. Veshja ime varet dhe nga periudha që jetoj, kam pasur preferencë për stilin afro, më pëlqen moda vintage e viteve '60 para lufte dhe madje më ka pëlqyer shumë periudha neoreliaste amerikane." Ndërkohë kureshtjes për të ditur sesi do të ishte pamja e saj mbrëmjen e konkurrimin në festivalin e RTSH, Marsela nuk ka preferuar të na e shuajë duke e lënë gjithçka surprizë për atë mbrëmje.

E pamundur të harrohej edhe angazhimi i radhës i këngëtares në lokalin e hapur nga vetë trajneri i saj Elton Deda, "Rock Stock". Marsela me mirënjohje thekson se ndihet vërtetë e vlerësuar për mundësinë dhe besimin që Deda i ka dhënë. "Eltoni është një person që pati besim tek unë si gjatë "Tha voice" dhe pas tij, madje u mor edhe me kompozimin e këngës sime "Sipar" në "Top Fest". Në radhë të parë ai vlerësoi tek unë shpirtin artistik dhe në një farë mënyre më dha mundësinë të
qëndrojë në skenë. Eltoni më vlerësoi artistikisht vlerësoi gjithashtu repertorin, vokalin, dhe në çastin që iu dha mundësia të hapte një biznes të tillë, ku gjëja më e rëndësishme ishte e muzika, ai më mori brenda këtij projekti bashkë me këngëtarë shumë të talentuar si Kamela, Eneda apo vetë ai."

Albumi i parë i Çibukaj duket se do të na lërë edhe pak të presim. Ajo është vetëm në gjysmën e punës për të, ndërkohë që ka realizuar rreth shtatë këngë. Megjithatë premton e lumtur se vitin e ardhshëm ai do të publikohet madje do të shoqërohet jo me një por me disa klipe. Sa i përket këngës së premtuar nga "Universal" ajo nuk dëshiron të shprehet gjatë rreth këtij argumenti duke e përmbyllur me këtë fjali. "Ajo ishte një flluskë sapuni, e cila u shpua shumë kollaj dhe unë vetë dua të di më shumë." Atmosferës së sapo krijuar i shpëtojmë duke gjerbuar pak çaj dhe dëgjuar muzikën në sfond. Megjithatë ritmit të mëparshëm dhe çasteve komode
i rikthehemi shumë shpejt kur e pyesim për udhëtimet dhe vendet që këngëtarja ka vizituar.

"Italia dhe Franca ngjajnë por edhe diferencohen. Italia është vendi i diellit, i argëtimit njerëzit janë më ekspresive më me ngjyrë. Ndërkohë që Franca është shik e kulturuar, fanatike për traditat e saj, nacionaliste në ruajtjen e gjuhës e mënyrës së të jetuarit, por gjithashtu janë dhe shumë modern dhe avanguardë në mënyrën e jetesës. Diçka që më pëlqeu në Paris është romanticiteti në periudhën bohemiane, i cili ndihet ende në bare restorante. Megjithatë në qoftë se do të më duhej të zgjidhja një vend për të jetuar do të ishte Anglia. Kam jetuar dy muaj në Londër dhe mendoj se është një vend që më përshtatet shumë dhe unë atij vendi. Është një minierë e vërtetë, një shkollë e hapur sa i përket muzikës. Mjafton të komunikosh me njerëzit, të ecësh nëpër rrugë dhe kupton sesi kanë ardhur ato vargje, ato melodi, ato rryma muzikore që vetëm në Londër janë krijuar dhe për këtë arsye optoj për të."

Ndonëse është e vështirë për Marselën ta ndaj muzikën nga pasionet ajo thotë se ëndrra e saj në sirtar ishte aktrimi. "Mund të ndjek rreth katër pesë filma në ditë dhe të flas për çdo regjisor edhe film. Kinematografia është pasioni im". Marsela cilat janë planet e tua për këtë vit të ri ku do të jesh në ndërrimin e akrepave
të 31 dhjetorit. "Vitin e Ri do ta pres së bashku me kolegët muzikantë tek "Rock Stock". Sa i përket planeve për këtë vit të ri, dua të citoj një pjesë nga filmi i njohur "Ditari i Bridget Jones": "Plani për Vitin e Ri është të realizoj planet që kam ndërmend".
(shqiptarja)

Marsela Cibukaj: Planet E Mia Si Të Bridget Jones