>
BIOSHQIP

Mateus Frroku: “Do Të Ketë Surpriza Gjatë Këtij Viti Në Vazhdim”

23-03-2014
I lidhur me muzikën që në moshë fare të vogël, duke marrë mësimet e para në Liceun “Tefta Tashko Koço” të Korçës ku instrument primar kishte kitaren dhe atë sekondar piano, Mateus Frroku vjen në një rrëfim ndryshe për “Shqiptarja”, mbi karrierën e tij në muzikë dhe pasionin për aktrimin.

Ndryshe nga këngëtarët e tjerë, Mateus na tregon se të kënduarit “live” nuk është sfidë për të, për të mos thënë se është pjesa më e pandar e shpirtit të tij.

Ajo çka na suprizon në këtë rrëfim është bashkëpunimi me grupin legjendar Fisnikët, në festivalin “Top Fest”.

Prej ditësh po punoni për të prezantuar në “Top Fest” këngën tuaj më të re. Na zbuloni disa detaje?

Në fakt, kemi disa kohë që po përgatitemi të sjellim në skenë një këngë të re dhe me plot ritëm. Të hënën, publikojmë në festivalin “Top Fest” këngën "Çokollata e shkrime", një projekt muzikor e cila vjen në bashkëpunim me grupin legjendar Fisnikët. Shpresoj që publiku të pëlqejë këtë produksion.



Si lindi ideja e bashkëpunimit me grupin Fisnikët, një grup mjaft i pëlqyer në tregun muzikor shqiptar?

Ideja ka qenë e gjitha e imja. Bashkë me grupin Fisnikët, kemi qenë të ftuar në një event me muzikë “live” në Tiranë aty ku dhe unë performoja muzikë “live” atë natë. Ishte një natë shumë e bukur dhe aty u prezantova nga afër me grupin Fisnikët, një bisedë që u konkretizua për të sjellë një bashkëpunim së bashku. Agimi (vokalisti i grupit) pranoj menjëherë ofertën time për të sjellë për publikun një këngë që të godiste dhe të pëlqej gjatë si material muzikor.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në këtë festival?

Nuk di të flas për pritshmëritë ndaj festivalit! Di të them që mezi pres të shoh reagimin e njerëzve pas publikimit të këngës. Personalisht për mua si artist i ri, është fat dhe kënaqësi që në karrierën time kam një bashkëpunim me grupin Fisnikët. Kjo më mjafton!

Muzika “live” është pjesa juaj e domosdoshme, si e shikoni komercializmin në tregun muzikor krahasur me “live-n”?

Muzika “live” tashmë është bërë një pjesë e pandashme e imja. Unë jam çdo javë i angazhuar me muzikë “live”, një pasion që më plotëson. Nëse flasim për produksione të kënduara nga këngëtarë që nuk janë aq të aftë në muzikën “live” më duhet të them që gjithsekush ka vendin e vet. Sigurisht, që në një pjesë të madhe ka dhe padrejtësi, por mua kjo nuk më shqetëson. Vazhdoj të eci në korsinë time, ku po ndërtoj këtë korsi me parametra të mira.



Keni studiuar kitare, por së fundmi ju kemi parë në skenë edhe si aktor. Si është raporti mes aktrimit dhe muzikës ku e gjeni më mirë veten?

Momentalisht që po flasim ndodhem në Korçë prej disa javësh pasi po punoj paralelisht me një projekt në Teatrin “Andon Z Çajupi”, duke mu besuar një rol mjaftë pikant në skenë. Padiskutim, që muzika merr vëmendjen më të madhe, sepse është pjesë e shpirtit tim çdo moment, ndërsa me teatrin nuk ndodh kështu! Ka raste që të besohet një projekt një herë në katër muaj, por më pëlqen dhe fakti që jam në teatër. Teatri më jep atë mundësin që të shfaq në skenë atë që në jetë është e vështirë. Më pëlqen të largohem nga realiteti dhe të përjetoj diçka tjetër.

Çfarë roli sollët për spektatorin dhe a ishte e vështirë skena e teatrit në krahasim me atë të festivalit?

Puna në teatër është e vështirë, pasi kërkon një punë dhe vullnet të madh. Projekti im i fundit në teatër ishte po në qytetin e Korçës ku luajta rolin e Gastones në "Fantazmat" të Eduardo De Filippo me regji të Erion Kames. Ishte projekti im i parë në teatër si një profesionist, tashmë mbas përfundimit të shkollës dhe kjo më bëri të përjetoja emocione të forta.



Si qëndron trinomi kitar, aktrim dhe këngë në jetën e një artisti?

Kitara tani është një instrument që më shoqëron mua në shtëpi, kur dua të këndoj një këngë për qef, por jo si diçka primare. Sigurisht, që shkollimi im për aktrim dhe fakti që jam aktiv në muzikë më bën të jem i lumtur pasi bëj gjërat që dua.

Pjesëmarrja juaj në çdo festival do të thotë sfidë për ju, apo së shpejti do t’iu shikojmë me një album muzikor?

Pjesëmarrja në “Top Fest” erdhi si pasojë e faktit që unë kisha një këngë të bukur dhe një bashkëpunim surprizë. Në jetë më pëlqejnë të jem konkurretn i fortë dhe ndaj vendosëm të marrim pjesë. Kemi dhënë maksimumin së bashku me Genti Myftarajn, i cili punoi me shumë dashuri për melodinë e këngës dhe orkestrimin e saj. Jam i bindur se ky produksion do të marri vlerësime, pasi është punuar nga njerëz me vlera të mëdha.

Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Kam disa projektet që po na presin t’i nisim. Së bashku me Gentin kemi menduar shumë gjëra pozitive dhe besoj që shpejt do finalizohen. Në të njëjtën kohë jam në bashkëpunim dhe me kompozitorin Elgit Doda, i cili ka menduar dhe ai disa materiale të reja për mua. Kjo më bën të mendoj që do të ketë surpriza gjatë këtij viti në vazhdim.
(b.t/shqiptarja)

Mateus Frroku: “Do Të Ketë Surpriza Gjatë Këtij Viti Në Vazhdim”