>
BIOSHQIP

(1930-2004)

Biografia
Mazllom Mejzini lindi në qytetin e Gjakoves. As prindërit e aq më pak familjarët e tjerë dhe as askush tjetër nuk do ta mendonte se ky yll do ta shndërrisë qytetin e Gjakovës por dhe shumë më gjërë, për 74 vjet me radhë.

Mazllom Mejzini do të shfaqte prirjen e tij për muzikë që në moshë shumë të njomë. Në klasën e dytë të shkollës fillore, si 8-vjeçar ai do ta ketë koncertin e parë, natyrisht para nxënësve të klasës dhe prindërve të tyre. Pas shumë pak kohësh, mësuesi i tij Xheladin Hana, i cili më vonë do të bëhet pjesëmarrës i LNÇ-së e më pas, më 1948, do të vritej nga SBSh-ja (UDB) famëkeqe, duke e parë talentin e tij prej këngëtari, e angazhon në koncertin festiv për nder të 28 Nëntorit. Ishte viti 1941 dhe Mazllom Mejzini ishte vetëm 11 vjeç. Koncerti që përbëhej kryesisht prej këngëve me karakter patriotik, pati shumë sukses dhe ndër më të dalluarit ishte pikërisht ai. Ky koncert do të bëhej momenti kyç për të ardhmen e Mazllom Mejzinit i cili do të marrë hov shumë më të madh së pari në fushën e këndimit.

Pas përfundimit të shkollës fillore, Mazllom Mejzini vazhdon shkollën e mesme. Duke marrë shkas nga sukesi i koncertit të vitit 1941 dhe duke patur parasysh se në ndërkohë nuk ishin organizuar koncerte të tilla meqenëse dhe Kosova u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, pasoi një kohë pushimi si për Mazllom Mejzinin, ashtu dhe për shokët e tij me të cilët nganjëherë, edhe pse në kohë lufte, mblidheshin dhe këndonin nëpër shtëpi të njëri-tjetrit.

Në kohën kur u lind Mazllom Mejzini Gjakova kishte pak kompozitorë dhe pak këngë qytetare të kompozuara nga kompozitorë popullorë dhe, madje, edhe atëherë ky qytet mbahej për një nga qytetet me një traditë të pasur dhe tipike. Pikërisht në kohën kur u lind Mazllom Mejzini qe formuar shoqëria humanitare “Gajreti”, ndërkohë që në qytetin e Prizrenit qe formuar simotra e saj, ajo me emrin “Merhameti”.
Në kohën kur Mazllom Mejzini filloi të merrej me muzikë ai la pas vetes shumë këngë dhe kompozitorë si Beqir Efendi Baraku, Ibrahim Patoku, por dhe mjeshtrat e mëdhenj si Ymer Riza, Myftar Gjoki, Ymer Tullumi, Ahmet Kola e deri tek Qamili i Vogël. Numri i këngëve të njohura gjakovare nuk ishte dhe aq i madh, por e veçanta e këtyre këngëve ishte se pothuajse të gjitha ishin bërë shumë të njohura - hite të vërteta. Pjesa tjetër e këngëve të kënduara në ahengun gjakovar i takonin qyteteve më të vjetra si Berati, Shkodra, e sidomos Elbasani. Me paraqitjen e Qamilit të Vogël dhe Mazllom Mejzinit, ky qytet do ta krijonte atë bazën e nevojshme të këngëve tipike gjakovare. Ndaj rëndësia e parë dhe mbase më e rëndësishmja është se Mazllom Mejzini, bashkë me Qamilin e Vogël, është një ndër themeluesit e tabanit të muzikës tradicionale qytetare gjakovare që tashmë është aq e njohur. Duke kompozuar afër 60 këngë, bashkë me shokun dhe mikun e tij të jetës, Qamilin e Vogël, ai ka kontribuuar në identitetin e qytetit të Gjakovës si një prej qendrave me traditë të pasur muzikore krahas qendrave të rëndësishme si Berati, Shkodra, Tirana, Elbasani, Korça etj. Madje këngët e tij ishin bërë qëmoti aq të njohura sa edhe vetë kompozitorë të njohur nga Shqipëria befasoheshin kur kuptonin se janë të kompozuara nga një kompozitor gjakovar. Tashmë janë të njohura gjithandej këngët e tij si “Kah dera të erdha”, “Pse s’mendova”, “Qeshë i lumtur kur të pashë”, “Këngë për Idriz Dhomin”, “Me gëzim dola të prita”, “Këngë për Skënderbeun”, “Këngë për Lidhjen e Prizrenit”, “S’pate dhimbsuri”, “Po të lutem me m’kujtue”, “Mbarë Kosova po e prêt”, “Mirëseerdhe moj pranverë”, “Mbarë Kosova po këndon”, “Bukurinë moj kur ta pashë”, “Ma fal fajin se gabova”, “Kur prej teje u ndava”, “Këngë për Ymer Rizën”, “Mallëngjimi i gurbetçarit” e shumë këngë të tjera shumë të njohura. Është me rëndësi të ceket se niveli artistik i këngëve të kompozuara nga Mazllom Mejzini si një kompozitor laik popullor ishte shumë i lartë. Kjo përforcohet nga fakti se gjeografia e interpretimeve të këngëve të këtij kompozitori ishte shumë e gjerë dhe mbarëshqiptare.

Si pjesëmarrës në shumë festivale të organizuara kudo në trojet shqiptare si kantautor, Mazllom Mejzini ka lënë vulën e vet si krijues origjinal dhe madje i papërsëritshëm. Po në këto festivali, ky krijues i madh ka fituar dhe shumë çmime. Fitues i “Mikrofonit të Artë”, pastaj edhe i disa çmimeve në Akordet e Kosovës, në “Zambakun e Prizrenit” etj. Pos si kompozitor, Mazllom Mejzini është një prej figurave qendrore të këngës shqipe në përgjithësi. Si këngëtar janë të panumërta këngët që ai ka kënduar dhe incizuar gjithandej, ndërkohë që është një ndër figurat më meritore për krijimin e shoqërive muzikore gjakovare: “Bajram Curri”, “Kosova”, “Hajdar Dushi” dhe “Ymer Riza”, ku e ka mbajtur epitetin e këngëtarit më të veçantë për nga mënyra e interpretimit të tij karakteristik.

Sot, Mazllom Mejzini me të drejtë konsiderohet si një prej muzikantëve më të kompletuar gjakovarë, duke qenë se ishte njëkohësisht kompozitor, këngëtar dhe instrumentist (luante në mandolinë dhe mandol). Pak ditë para vdekjes, Mazllom Mejzini që nderuar nga Komuna e Gjakovës me Mirënjohje për vepër jetësore, ndërkohë që në vitin 2009, një rrugë e qytetit të Gjakovës ka marrë emrin e tij. Për meritat e tij të mëdha, në këtë përvjetor të lindjes së tij, është në përfundim e sipër monografia kushtuar këtij krijuesi, e cila pritet ta shohë dritën e botimit shumë shpejt. Mazllom Mejzini e kishte potencuar disa herë vetë sa ishte gjallë se “nderi më i madh që mund t’i bëhej një krijuesi, është kur kënga e tij humb autorësinë dhe bëhet këngë ‘e popullit’. Atëherë dhe vetëm atëherë ai krijues mund të mburret me atë që ka bërë”. Dhe, këngët e Mazllom Mejzinit ishin bërë “të popullit” edhe sa ishte vetë autori i tyre gjallë. Mazllom Mejzini dallohet si kantautorë i afro 80 këngëve popullore dhe atyre të lehta, instrumentiste, dhe këngëtar i njohur jo vetëm ne Kosovë dhe viset gjithë Shqipëtare por edhe më tej. Disa prej hiteve te mëdha popullore te cilat i ka krijuar Mazllom Mejzini jane:

Ku të kam moj dranofille
Për herë t'parë dashnin fillova
Qeshë i lumtur kur të pashë
Të kam dasht' dhe të du
Këngë për Idriz Dhomin
Mirë se erdhe moj pranverë
Kah dera të erdha
Eja t'vejmë kurorë
Me ty vajze kam zan dashni
Lulet bukra qel pranvera
Sa i bukur muaji i majit
Vjen Pranvera knon kumrija
Ma fal fajin se gabova
Me një za të ambel
Këngë për Ymer Rizen
Me gëzim dola të prita
Bukurinë kur ta pashë
Ke me i than ç'i bana vetit
Kur nje ditë të pashë
Si shkemb guri

Mazllom Mejzini ishte antarë i shoqërisë muzikore "Bajram Curri" e themeluar në vitin 1949 ne krye me Ibrahim Zherken.