>
LETERSISHQIP

Miku Im

Mik, ne bashkë jemi rritur
Dhe rrugës ecnim këmbë-zbathur;
Kur bënim prapë, na kan’ bërtitur,
Dhe tok të dyve na kan’ rrahur.

U rritëm shokë, unë e ti
Dhe bashkë e rrzonim ne një viç;
Dhe bashkë e ngritëm një shtëpi
Me guraleca dhe qerpiç.

Ne ngritëm muret e godinës
Ku hidhte shtat një miqësi
Dhe nuk godisnim mbrapa shpinës,
As rrugës s’rrihnim asnjeri.

U rritëm bashkë, në një kohë,
Ku fshati kishte pemë shumë,
S’do mend që kishte edhe lopë
Që ecnin turmës nëpër rrugë.

Bashkë me shokë të tjerë përreth
Ne kemi parë një mijë të zeza,
Për shembull, humbnim nëpër terr,
Në sheshin mbushur me varreza.

Atje në fshat, nuk qe e lehtë
Të rriteshe si dash i fortë:
Në zgjua, sic punon një bletë,
Ne do punonim nëpër tokë.

Dhe sot u rritëm porsi plepa,
Kujtimet fshehur ne i ruajmë…
Dhe në qytet, dalim me grepa
Që pjeshka rrugëve të gjuajmë.

Por në lokal me dy-tri shoqe,
Ti shtang dhe buzët të lëpijnë:
Kujton me mall dy gjinjë lope,
Kujton përhumbur larg shtëpinë…

Dhe thua :” Ah, ju qytetare,
Pa ejani një herë t’ju mjel!
Ju jepni qumështin pa pare,
Siç japin lopët kur i çel!”

Dhe qeshim tok në tavolinë
Dhe njëri-tjetrin prap e shohim:
Kujtojmë fushat dhe shtëpinë,
Kujtojmë lopët që kullosin.

Por kohët ikën, si më parë
S’do kemi rast të vemë atje,
Ku loznim arrash nëpër arë,
Ku piqnim misër e gështenjë.

Dhe ditët ikin, e ne prapë
Në rrugë shkojmë kuturu.
Por ti nuk pin, e s’bëhesh tapë
Dhe unë jam esëll gjithashtu.

E kam menduar pse nuk pijmë
Raki e birrë tek bar Sahati:
Por ne pa qumësht s’mund të rrijmë,
Këtë te mirë na dha fshati!...

Ne mbartim pas një të kaluar,
Mes shtigje gurësh e betoni
Dhe dot s’e hedhim në përrua,
Se nuk shkëputet dot vagoni…

Prandaj, o mik, ne kemi pritur
Trishtimin jetës për t’ia hedhur…
Por dimë, që bashkë jemi rritur
Dhe miq ne kemi për të vdekur.

08 shtator 2013