>
BIOSHQIP

Mentor Haziri Reagon Pas Rihapjes Së Debatit Mbi Blerjen E Klikimeve

01-11-2013
Një emision televiziv, përmes së cilit hakerët kanë treguar se si iu shesin klikime në ‘YouTube’ këngëtarëve shqiptar, ka ‘detyruar’ edhe këngëtarin Mentor Haziri të flasë për një të vërtetë të tillë.

Përmes rrjetit social ‘Twitter’ rok këngëtari ferizajas ka treguar se ndanë të njëjtin mendim me hakerët të cilët kanë rrëfimin mbi të vërtetën për klikimet milionëshe të blera nga këngëtaret.

“Qe artistat tan qysh bojne klikime, hakeri ne TV po kallxon qysh ja u shet ! Krejt jon te bleme !! Ani kur po thone disa i bona per 2 dite 1 milion klikime ncnc #tmerr#klikimetfalls#estradajone”, ka shkruar Haziri në ‘Twitter’.

Ka kohë që është ngritur çështja e klikimeve në YouTube, me akuza të ndryshme të këngëtarëve për njëri-tjetrin dhe si duket tani ky debat është zgjeruar dhe ka marrë formë tjetër.

RTV 21 raporton se një grup që janë të koduar si Crackeri, Demi Prince dhe Baba Dimni, ofrojnë klikime në mënyrë të paligjshme për këngëtarët shqiptarë.

Këta persona pohojnë se është e pamundur që një këngë të arrijë miliona klikime në mënyrë të rregullt, duke thënë se nuk ka miliona njerëz dhe kompjuterë shqiptarë që kanë nga një “IP” (internet protocol) për të regjistruar klikimin.

“Ne kemi oferta të ndryshme për këngëtarët. Variojnë nga 250 deri në 300 euro, për 100 mijë klikime”, thotë njëri prej tyre.

Ata pohojnë se ka pasur artistë që i kanë shtuar deri në 8 milionë klikime, teksa kanë refuzuar të zbulojnë emrat e tyre.

Edhe Telegrafi ka pranuar shumë informacione nga këngëtarë të ndryshëm për rivalët e tyre se si i shtojnë klikimet, por në mungesë të fakteve, kjo çështje nuk është trajtuar.

Tani si duket dalja në publik e këtyre personave pritet të ndryshojë gjërat sa i përket akuzave dhe kundër akuzave, ndërsa mbetet të shihet cili do të jetë reagimi i kompanive si On Air dhe Acromax që shpesh kanë qenë pjesë e akuzave për shtim të klikimeve dhe pëlqimeve në kanalet e këngëtarëve në YouTube.

Një gjë është e sigurt – ka kohë që Telegrafi nuk raporton dhe nuk do të raportojë, për numrin e madh të klikimeve të këngëtarëve në YouTube dhe “suksesit” të tyre në rrjetin social të videove, duke parë pa qartësitë e mëdha që mund të ekzistojnë rreth statistikave.
(Zëri/Telegrafi)

Mentor Haziri Reagon Pas Rihapjes Së Debatit Mbi Blerjen E Klikimeve