>
BIOSHQIP
Biografia
Edhe pse i sprovuar me shikimin, ai shquhet si person me një zemër të madhe dhe bujare, i sinqertë, i shoqërueshëm, i dashur dhe shumë i respektuar. Është ky Mentor Mripa një djalë i pashëm, më një zë të bukur që i kënaq dëgjuesit e tij përmes valëve të radios si dhe përmes këngëve të bukura që i realizon. Mentori nuk ka komplekse dhe është një shakaxhi i madh si me të tjerët ashtu dhe me veten. Pavarësisht sprovës së tij, Mentori asnjëherë nuk është ndalur dhe ka zhvilluar një jetë si gjithë të tjerët. Ka përfunduar shkollën, fakultetin, bën karrierë profesioniste, ka krijuar familje si është më së miri. Ai është shumë i dashuruar pas radios dhe këngës, këto të cilat i ka pasur ëndërr që fëmijë.

Fillon të këndonte që i vogël dhe të imitojë këngëtarët dhe pa e mbaruar klasën e 8-të, merr pjesë në festivalin “Zambaku i Prizrenit”. Rikthehet në “Zambakun e Prizrenit” më 1993, 1994, 1996 ku me kompozitoren Arjeta Daci merr disa shpërblime. Pastaj, më 1995 dhe 1996 merr pjesë në “Akordet e Kosovës” dhe në festivalin “Kënga Jonë”. Ai është aktori i parë i verbër që ka luajtur në një film në Kosovë sepse në vitin 1997 Adem Mikullovci i dha një rol në filmin “Një Pallto Për Babain Tim Në Burg”.

Në vitin 1994 merr pjesë në festivalin e komedisë shqiptare “Presheva 94”, ku shpërblehet për muzikën më të mirë. Pas luftës fiton në “Zambakun e Prizrenit” 2000, 2002 dhe 2004. Për tekstin më të mirë në festivalin “Show Fest” 2003. Pastaj shpërblimin e publikuar në Lyra Fest 2007. Kam realizuar disa videoklipe dhe disa albume të edituar. Merr pjesë në shumë koncerte humanitare dhe asnjëherë nuk i refuzon, sepse ka dëshirë të bëjë diçka për të tjerët dhe nuk mendon kurrë se ka bërë mjaftueshëm për ta.

Ai ka lindur i verbër. Siç Mentori thotë: "Zoti më ka sprovuar, por edhe më ka dhuruar shumë gjëra të tjera. Më ka sprovuar me këtë që të mos shoh me sy të vërtetë, por jam përpjekur që të shoh me sytë e zemrës. Unë që i vogël e kam pasur të qartë prej prindërve të mi që nuk do shoh. Natyrisht gjatë jetës nganjëherë dhe përvojave të ndryshme ndonjë moment jo të mirë që më ka shtyrë të bëjë pyetjen pse pikërisht unë? Por kjo nuk ka zgjatur shumë, sepse kam të gjitha të mirat e mundshme. Më besoni, unë si nëntëvjeçar e kam ditur se çfarë do të punoj gjatë në të ardhmen. Gjithmonë kam pas dëshirë të imitoj gazetarët e radios, pra kam dëgjuar shumë radio dhe këngëtarë të ndryshëm. Zoti i madh mi plotësoi që të dy këto pasione, pra unë punoj në radio dhe merrem me muzikë. Do të thotë që në të dyja jam i realizuar, duke e falënderuar Zotin për kurajën, dëshirën dhe guximin e dhënë. Unë jam sprovuar, por edhe sfiduar. Kam pranuar sfida të ndryshme dhe i kam hyrë pa hezitim. Ju them me përgjegjësi të plotë se asnjë barrierë nuk e kam pasur nga Zoti. Barrierat dhe të këqijat i kam pasur vetëm nga njerëzit".

Ai ka përfunduar filloren dhe të mesme, 2 vjet në shkollën për të verbër në Prizren e më pas, në prill të vitit 1982 transferohet në shkollën speciale ku vijoi për 10 vite të tjera. Me insistimin e disa shokëve të tij, u regjistrua në Fakultetin e Gazetarisë, në të cilin diplomohet më 2 korrik 2010. Ishte 2 herë bursist në Universitetin e Prishtinës dhe përfundoi me notën 10. Krahas studimeve punonte në radio dhe gjithashtu këndonte.

Më 28 nëntor 1999 fillon punë në Radio Mitrovica. Më pas shkon në Prizren, ku punon në dy radio: Radio Besa dhe Radio Heliks.

Më 11 mars të viti 2002 kalon në Radio Kosova, fillimisht me një emision e më pas në një emision të përjavshëm.

Më datë 31 Janar 2008, Mentor Mripa publikon videoklipin "Pse Ikën Ku Jane".

Më datë 13 Gusht 2010, Mentor Mripa publikon videoklipin "S'qe E Thënë".

Më datë 31 Dhjetor 2015, Mentor Mripa publikon videoklipin "Enderr".

Më datë 26 Prill 2017, Mentor Mripa publikon videoklipin "Jetë Për Jetë".

Në vitin 2018, Mentor Mripa publikon albumin "Dua Të Të Them Një Fjalë" me këngë të vjetra qytetare. Orkestrimin dhe incizimin e këngëve e ka bërë Hysni Klinaku, me të cilin bashkarisht i kanë përzgjedhur këngët. Mripa i informoi fansat se për këtë album që ka gjithsej 8 këngë kishin bërë përgatitje tash e sa kohë. Ai me këtë rast falënderoi familjen dhe gjithë bashkëpunëtorët. “Për albumin tim nga zemra e falënderoj: familjen time, Hysni Klinakun, Agron Sylën, Hekuran Hoxhën, Driton Fazliun, Agron Rexhën, Avni Selmanin, Shtypshkronjen Iliria, dhe Produksionet Ardi dhe Arboni (Afrim Sekiraqa dhe Florim Haliti). Falenderimi më i madh i takon Zotit që ma mundësoj daljen në treg të këtij albumi, uroj që të ju pelqej. Ju Falemnderit sinqerisht!”, ka shkruar Mripa në llogarinë e tij në “Facebook”.

Në Tetor 2023, Mentor Mripa merr pjesë në Festivali i Këngës Në RTK 2023 me këngën "Po Ju Rrëfehem".
KATEGORI: