>
BIOSHQIP

Shumë Shpejt, Mega Event Për 50 Vjetorin E Merita Halilit

12-07-2016
Shpirti i njeriut ka kurdoherë prirje të besojë në mrekullitë, e një nga mrekullitë më të mëdha të jetës është kënga. Kultura muzikore shqiptare identifikohet nga disa artistë të mirëfilltë, në mesin e të cilëve është Merita Halili, si pasuese e një brezi "të shenjtë" artistësh me në krye të pavdekshmen, Fitnete Rexhën. Zëri dhe kënga e Meritës ndër vite u bë zjarri që na zhuriti përbrenda, e sidomos me këngët "Lule të bukra ka Tirana" e "Doli goca në penxhere". Mbi 35 vite ajo dhe kënga e saj buçiti nëpër mbarë trevat shqiptare, dhe jo vetëm, duke i kënduar jetës së popullit në të gjitha sferat e saj. Kënga në familjen e saj është traditë, nga ata që e rritën atë, e deri te mbesa, Ledia e cila po pason rrugën e hallës së saj. Meritë të veçantë në gjithë rrugëtimin e Meritës ka dhe bashkëshorti fjalëpak dhe me shpirt artistik, Raif Hyseni, i njohur për ne me meloditë e bukura me fizarmonikë. Ky vit është i veçantë për mbarë adhuruesit e këngës së saj, sepse Merita kremton 50 vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor ajo vjen me një recital ku do këndojë drejtpërdrejt disa nga hitet e saj ndër vite. Para pregaditjet kanë filluar, e artistja na e bën të ditur se është duke punuar që çdo detaj i eventit të jetë i përpiktë, meqë një event i tillë nuk është parë nga ajo prej vitit '92. Me gojën plot i urojmë artistes sonë të kremtojë edhe 100 përvjetore të këtilla, për të na kënaqur zemrat tona me zërin "dhuratë perëndie", ndërkaq presim datën e saktë për të shijuar emicionet e ketsaj mega performance të saj.
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Shumë Shpejt, Mega Event Për 50 Vjetorin E Merita Halilit