>
LETERSISHQIP

Kosovës

Ta trembën gëzimin e fëmijëve,
po ëndrrat dot s’t’i vranë
Stefanët
Dushanët...
Çetnikët me Kryqet bajoneta.

Bota ta vodhi qetësinë,
si floririn e dheut tënd,
gëzimin ta shteri.
Tokës i dhembin brinjët nga çizmja e huaj,
t’u përbalt nderi aq i çmuar.
Buka jote,
mbrujtur me kripën e lotëve njëqindvjeçarë,
bujari për nofulla barbarësh.
Mua më dhemb zemra,
gjoksi më ther nga marazi.

“... Kosova me botën brenda,
Kosova pa botën,
Kosova më vete...!”

Të dhanë lirinë
ata që dje të kryqëzuan,
e sot të bien në gjunjë për ç’gabuan.
Ku është bota vallë?!
Në detin e gjerë të Nënë Terezës
pasqyrohen kokëposhtë mbretër e perandorë.
Ajo vazhdon të falë dashuri njerëzore.
Bota!
Mos kërkon të ngjizë Statujën e re të Lirisë
në barkun pjellor të Mitrovicës?
Pastaj t’ua falë perëndive
në këmbim të zjarrit?

I thoni një poeti të më ndihmojë
të flasim me hënën,
të derdhë mbi Kosovë dritën e argjendtë
t’i zbukurohen plagët.
Ujkani,
e di, do më dëgjojë.

Mbi bustin e Jasharit,
një shqiponjë tund krahët,
po nis fluturimin.
(Besoj pa firmën Ah-ti-sa-ri !)

Prishtinë, shkurt 2008