>
LETERSISHQIP

Nënat

Zonjat që kam parë
Koha i ka tretur
Dhimbja i ka vrarë
Emri u ka mbetur
Vezikon, të shkretën
Që fliste me dheun
Jashtë-buiste majin
Brenda-shënëndreun
Një Miro me çika
Një Refo, si ëngjëll
Një Shano, si drita
Një Shaze, si ëndërr
Pashakon, që s’plakej
Mazikën e sertë
Një Sabo që mpakej
Nga një plumb i beftë
Dridhej Trëndafilja
Në Qafë të Mihait
Ju përmbys mbi krye
Mal i Kanatait
Adileja-fjalën
E peshon menduar
Supeve heq barrën
Foshnjën mban në duar
Ime më, me thinja
(Me thinja dhe djali!)
Qyqeve në brinja
U thotë këngë malli
Nga brumi në magje
Tek malet e larta
Herë ndrijnë si diell
Herë vishen nga nata
Herë shfaqen në valle
Ashtu, si lastarë
Herë mblidhen në vaje
Mbi një trim të vrarë
Ç’kanë më shumë spartanet
(Gjak nga gjaku ynë!)
Djepin që rrit lisat
Prushin që ndez gjinë?!
Laben si vitore
Renda dhe e gjeta
Ajo-mjergull bore
Unë-te kënga mbeta!