>
BIOSHQIP

Mihrije Braha Thotë ‘ti Tash!’

07-10-2014
Kënga ‘E jotja’, që është lansuar në verën që e kemi lënë pas, ka qenë një ndër sukseset e radhës të këngëtares Mihrije Braha. Pas këtij projekti Mihrija është duke punuar në një këngë të re që do të lansohet shumë shpejtë. Kështu së paku ka treguar vet ajo në një bisedë për gazetën Tribuna, ku ndër të tjera ka folur edhe për globalizimin kulturor, familjen dhe shumëçka tjetër
Ka shumë vite që është njëri ndër vokalet më të ëmbël të skenës muzikore shqipe dhe gjatë gjithë kësaj kohe zëri i saj ka jehuar kudo që është dëgjuar shqip. Sukseset e njëpasnjëshme në karrierë kanë bërë që Mihrije Braha t’i rezistojë çdo sfide që ka pasur para vetes. Ajo nuk ka ndaluar asnjëherë së punuari, e kështu duke sjell hite të njëpasnjëshme. E këtë gjë nuk e ka ndërmend që ta bëjë edhe për një kohë të gjatë. Mihrija në një bisedë për gazetën Tribuna, ka treguar se është duke punuar në një këngë të re e cila shumë shpejt do të lansohet.

“Së shpejti do ta lansoj këngën time të re që titullohet ‘Ti tash!’. Për këtë projekt kam punuar me Agim Kita i cili në studion e tij e ka realizuar tekstin dhe muzikën e këngës”, ka thënë Mihrija. Ajo gjithashtu ka treguar se kënga do të realizohet me videoklip, që do ta punojë me regjisorin Blerdi Malushin i cili vepron edhe në kuadër të emisionit ‘Odeon’.

“Këngën do ta realizoj me klip, të cilin do ta punoj me Blerdi Malushi. Ende nuk e kemi vendosur vendin ku do ta incizojmë, vetëm e di që do të jetë jashtë Kosovës”, ka theksuar këngëtarja. Ky nuk është projekti i fundit i këngëtares për këtë vit. Ajo ka treguar që në fund të vitit do të dalë me një audio album.

“Në fundvit do të vij me një projekt gjigand. Ai do të jetë një audio album të cilin do ta punoj së bashku me Beni Baksin. Albumi do të ketë këngë që janë dëgjuar dhe këngë të reja për të cilat nuk dua të jap më shumë detaje”, ka shtuar ajo. E pyetur se kur do të sjellë ndonjë bashkëpunim me burrin e saj këngëtarin, Naim Abazin, Mihrija ka theksuar se tani për tani nuk ka ndonjë këngë që është duke punuar me Naimin, por ka thënë se ata të dy performojnë nganjëherë edhe këngë të tjera popullore në ‘Odeon’, duke bërë të ditur se nuk u mungon fansave të saj.

Këngëtaret e rinj po bëjnë hite sezonale

Mihrija ka treguar se verën që e kemi lënë pas ka qenë shumë e angazhuar me ahengje familjare dhe ka thënë që ka qenë prezente kudo në trojet shqiptare. “Si në të gjitha vitet tjera, edhe ky vit ka qenë i bujshëm dhe mund të them se jam ndarë e kënaqur me pritjen që ma kanë bërë fansat kudo që kam qenë. Ata që të gjithë janë të njëjtë prandaj nuk do mund t’i ndajë me zona”, ka thënë Mihrija. Ndër të tjera, Mihrija duke falënderuar Zotin, ka theksuar se është e ndarë e kënaqur edhe me përfitimet nga mbrëmjet dhe ahengjet e organizuara për këtë vit.

Këngëtarja gjithashtu ka folur edhe për përfshirjen e muzikës nga globalizimi kulturor dhe ka thënë se shmangia e prekjes së muzikës nga ky ‘virus’ ka qenë e pamundur. “Po, definitivisht globalizmi kulturor e ka prekur edhe muzikën. Zhvillimi i teknologjisë ka bërë që sot të krijohen më lehtë këngët, klipet apo albumet. Unë jam e lumtur që i takoj kësaj gjenerate”, ka thënë këngëtarja. Por, ajo që po e pengon Mihrijen është fakti që me gjithë këtë zhvillim të teknologjisë, këngëtarët e rinj janë duke krijuar hite sezonale e jo megahite.

“Ka stagnim në krijimin e këngëve, sot krijohen vetëm hite seoznale e jo megalite. Pastaj reportuari i tyre është i mangët kur dalin nëpër koncerte, performojnë vetëm disa këngë dhe pastaj mbarojnë”, ka thënë Mihrija. Ajo po ashtu ka folur edhe për familjen e saj, për të cilën ka thënë se për shkak të angazhimeve të shumta që ka gjen shumë pak kohë që t’i vizitojë. Por, ajo nuk e ka përjashtuar faktin se është e hapur për çdo aktivitet familjar apo shoqëror.

“Jam e hapur për çdo aktivitet që organizohet nga shoqëria apo familja, edhe pse shpeshherë nuk më premton koha që të dal shpesh me ta, sepse jam e angazhuar me karrierën time si këngëtare si dhe duke i ndihmuar Naimit rreth emisionit të tij”, ka thënë ajo. Ndër të tjera Mihrija ka përmendur edhe djalin e saj Platorin për të cilin ka treguar se është duke i vazhduar studimet në një Universitet të Pragës dhe ka thënë se ai tani studion drejtimin e ekonomisë dhe është në vitin e dytë akademik.
(Gazeta Express)

Mihrije Braha Thotë ‘ti Tash!’