>
LETERSISHQIP

Biri Im

Kjo kohë, që për mua është fundi, për ty është fillimi,
Dhe tërë koha, është një lojë midis fundit e fillimit tim,
Dhe fillimit e fundit tënd.
Është një rrugë e palëvizshme, statike, ku udhëtojmë
Me kahe të kundërta, por, që gjithmonë takohemi
Në një pikë të saj.
Gjendjen shpirtërore se si takohemi
Nuk e mbaj mend mirë,
Ndoshta takohemi si dy trupa të ngurtë
Që janë në lëvizje të përjetshme,
A ndoshta si dy shpirtra të gjelbër,
Ku secili zbukuron e than degëzat e veta.
Gjithsesi ka shumë rëndësi që takohemi,
Se gjithmonë është e pranishme mundësia
Të mos ishim takuar kurrë.
Pak re të vdekura vërtiten në horizontin e qiellit
Pa u takuar, megjithëse janë të pranishme
Në të njëjtën kohë?
Por unë bleroj e thahem çdo ditë për vete e për ty
Dhe i rrit degët e rrënjët, që gjithmonë të krijohet
Mundësia për t’u takuar me ty
Në një pikë të caktuar të ditës,
Si grimcëz e ajërt e kohës,
Dhe për të lënë një gjurmë të padukshme.
S’mund ta jetoj kohën time pa u takuar me ty,
Sa që më është krijuar mendimi,
Se kam lindur për të takuar ty, pjesëzën e shpirti tim
Prej drite e ere.
S’më pëlqejnë ata që çirren e mburren,
Se kanë lënë nëpër rrugët e kohës
Gjurmë të mëdha, të bujshme e të dukshme.
Qesharake! Gjurmët tona janë gjithmonë
Të vdekshme, biri im, ashtu si dhe koha,
E cila na kalon e ajërt nëpër gjithë trupin,
Duke na i mbushur poret
Plot me dritë e freski mëngjesi të trëndafiltë
Siç është dhe gjaku ynë, e vrapon sërish
Nëpër peizazhe të tjera njerëzore.
Kushdo qoftë fundi im e fillimi yt,
Nuk ka shumë rëndësi. Vlerë ka vetëm që koha
Është e bukur dhe kështu siç është,
E ne duhet ta jetojmë si grimcëza drite,
Ajri, uji e pluhuri,
Të cilët krijojnë blerim e jete,
E pikërisht në atë kohë
Që për mua është fundi dhe për ty fillimi, biri im.