>
LETERSISHQIP

Thika

Thika i ngjan një rreze pabesie
E mprehur mirë në grinë e reve,
Herë e ngrohtë e herë e akullt
Kur e prek me dorën e sinqeritetit.

Drita është syri i prerë
Në tehun e saj.

Parapëlqen më shumë natën
Të fshihet në këllëfin e errësirës,
E të bëj klithmën të heshtë.

Atëherë dhe hëna e yjet janë
Më të përgjumura,
E më të shkujdesura.

Një lule e brishtë e sapo vrarë
Është trupi i fundit i përgjakur,
Flakur pa mëshirë në guva resh,
E ferra të pashpirta.

Gjithmonë djeg si rrufe pas shpine
Dhe kurrë s’ke për ta besuar,
Se ajo godet me dorën e një miku.

Drita është syri i prerë
Në tehun e saj.