>
LETERSISHQIP

E Dua Perkedheljen Tende

Sonte pas hënës do arratisem zogëlënduar,
errësira nuk më tremb e aspak nuk më frikëson,
do fluturojë atje ku qetësia qëndron zgjuar,
ku uji të përkëdhel dhe mjelma të qetëson.

Në dreq shkoftë tradhëtia dhe xhelozia,
në humnerën e saj dhe ligësia të përfundojë,
S'më vjen keq për asgjë, as për dhimbjet e mia,
vetëm dashurinë, atë nuk desha t'ma lëndojnë.

Lëdhatoma moj mjelmë shpirtin e trazuar,
dhe përpëlitjet e krahëve mbi gjoksin që qan,
kërcitjen e dhëmbëve nëpër gjuhën e thartuar,
fjalën qetësoma kur shpirtit të më dalë.

Herë qesh, herë qaj si një fëmijë i lënduar,
që egërsohet kur lodrën ja thyejnë përtokë,
qesh si e marrë dhe hedh çdo gjë nga pas,
çdo copëz dashurie mbetur jetim pa fat.

Folmë moj mjelmë në qofsha gabuar,
jepmë një shenjë, një shpresë të më gëzojë
pse udha e dashurisë dredhon kaq ngatërruar,
tek të gjallët e kësaj bote që shpirtin kanë kufomë.

Ndoshta brengë të tillë ti vetë nuk ke kaluar,
dhe shpirtin si unë s'ta kanë vrarë ndonjëherë,
ngrohtësia shpirtërore aq shumë më ka munguar,
pushtomë krahëve të tu, pa në dreq kjo botë të vejë.