>
BIOSHQIP

Mimoza Mustafa: “Do Ti Rikthehem Muzikës”

12-09-2014
Këngëtarja e njohur për publikun Mimoza Mustafa, edhe pas disa vitesh pauzë në skenë ka vendosur ti riktheht më në fund muzikës. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për teksteshqip.com ajo na rrëfen për disa nga të rejat e saj më të fundit si dhe projektit të ri që Mimoza po sjell në treg. Bëhet fjalë për një klip dhe një këngë i cili do të lançohet shumë shpejt dhe do ta sjellim premierë në teksteshqip.com.

TeksteShqip: Mimoza, keni pregaditur projektin tuaj më të ri muzikor? Na flisni pak më shumë rreth këtij videoklipi?

Mimoza: Po, jam në fazën e përfundimit të një kënge të re e cila do të realizohet edhe me një video klip. Ekipi që fiton thonë nuk ndërrohet kështu që edhe kënga e re do të jetë një bashkëpunim me Darko Dimitrov dhe Aida Baraku, si gjithmonë Produksioni Labia do të merret me klipin dhe në mesin e tetorit shpresojmë që do të jetë gati për editim kënga dhe klipi. Kënga është e frymës moderne dhe do të jetë një dhuratë e mirë për adhuruesit që kurrë nuk më harrojnë.

TeksteShqip: Keni kaq shumë vite pa u rikthyer në skenë? Pse kjo distancë nga muzika, dhe a mendoni se keni gjetur momentin e duhur?

Mimoza: Nuk kam ndonjë arsye të veçante që kam pauzuar, ndoshta ka qenë në pyetje edhe situata jo e mirë në skenën muzikore shqiptare, piratëria, mungesa e një tregu stabil muzikor dhe një rikthim në momentin e tanishëm e bëj nga dashuria për këngën dhe respekti i madh për publikun tim edhe pse gjërat nuk kanë lëvizur për të mirë por besoj se më mirë është të punohet dhe të promovosh krijime të reja.



TeksteShqip: Për çfarë flet kjo këngë dhe kujt i dedikohet?

Mimoza: Kisha dashur të mbetet befasi dhe risi për dëgjuesit titulli dhe tema e këngës veç se një gjë ju siguroj, se do të jetë në nivelin e duhur dhe joshës për publikun e gjërë.

TeksteShqip: Keni disa videoklipe të punuara nga produksioni të cilin e drejton burri juaj, Labia Film? Sa ndjeheni e kënaqur me punën e këtij produksioni ndër vite dhe që ju jeni pjesë e tij?

Mimoza: Po, që nga fillimet e para të mia si këngëtare kam pasur një mbështetje të madhe nga Shkumbini dhe Produksioni Labia, një nga produksionet e para në Kosovë dhe normalisht që sukseset e mia nuk kanë munguar duke punuar dhe u përpjekur të paraqitem denjësisht në secilin prezentim timin ndër vite.

TeksteShqip: Paraqitja juaj e fundit ishte "Papafingo" në Këngën Magjike? Po tani mendoni të riktheheni në një nga festivalet tona?

Mimoza: Festivale muzikore në Kosovë nuk ka fatkeqësisht që një kohë, dhe në Shqipëri mbahen 3 festivale por kam hezituar të marrë pjesë për shkaqe të ndryshme dhe me dëshirë do të prezentohesha në një festival në Kosove me një këngë të re, besoj se informatat që i kam edhe kjo do të ndodhë me jetësimin e një festivali të ri "Ulpianafest" i cili do të mbahet në këtë fundvit në Prishtinë



TeksteShqip: Mimoza, keni pasur të edituar 5 albume? Në këtë treg tejet të vështirë të sotshëm, çmendim keni pë albumet? Ja vlen në ditët e sotshme të editosh një album?

Mimoza: Me kalimin e kohës edhe format dhe mënyrat e editimit të këngëve po ndryshojnë dhe albumi në formën klasike sot të bëhet është vërtetë një sfidë dhe një shpenzim shumë i madh dhe i pa kthyeshëm por lansimi i këngëve përmes youtube, rrjeteve sociale dhe kanaleve të shumta televizive të mundëson një prezencë dhe shpejtësi të madhe në promovimin e këngës dhe klipit. Rëndësi dhe një prezentim i plotë i një këngëtari është albumi pasi që me të shënohet një periudhë krijuese e artistit, shprehet tërë talenti dhe pasioni por siç e ceka më lartë janë rrethanat jo të mira ku nuk ka mbrojtjje të plotë nga piratëria dhe kjo gjë të shtyen të punohet me nga një ose dy këngë në periudha të ndryshme gjatë vitit.

TeksteShqip: Lëmë anash karrierën dhe i kthehemi jetës private? Jeni e martuar, keni dy fëmijë? Çfarë nëne është Mimoza? Është e rreptë? Dhe si është një ditë e Mimozës?

Mimoza: Vërtetë jam e preokupuar me 2 fëmijët e mi Rozafën dhe Bojkenin dhe obligimet e përditshme familjare por kjo gjë më jep shumë kënaqësi dhe kuptim për jetën dhe mundohem që të jem shumë afër familjes sime. E rrept nuk jam, por kërkoj nga fëmijet e mi të mësohen me rend dhe rregull, ti ndjekin mësimet dhe të jenë të sjellshëm, opinioni i Shkumbinit, Rozafës dhe Bojkenit është që jam e rrept por besoj se kjo gjë balancohet pasi që Shkumbini është më tolerant me fëmijët.



TeksteShqip: Kemi dëgjuar se keni një biznes tuajin në Prishtinë? Mbani një dyqan të aksesorëve në kryeqytet? Si po ju ecën puna?

Mimoza: Momentalisht e kam ndërpre veprimtarinë me aksesorë për shkak të krizës së madhe ekonomike në Kosovë dhe po pres ditë më të mira që ta riaktivizoj atë biznes, ndoshta edhe në ndonjë lokacion më të mirë.

TeksteShqip: Planet e ardhshme të Mimozës? Do të ketë projekte të reja pas këtij klipi?

Mimoza: Dëshira ime është që të mbaj një kontinuitet dhe asnjëherë nuk më zbehet dashuria për këngën dhe sigurisht që për festat e fundvitit do të prezentohem me këngë të reja.

TeksteShqip: Mimza, ne të falenderojmë që gjete kohë për intervistën. Për fund dëshiron të shtosh diçka? Ti përshëndesësh fansat e tu të veçantë?

Mimoza: Porosia ime është për të gjithë fansat e mi që i dua me zemër dhe shpirt dhe përmes këngës do përpiqem që të ju dërgoj mesazhe mirësie e dashurie pasi që publiku im është forca ime dhe sekreti i suksesit tim.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Mimoza Mustafa: “Do Ti Rikthehem Muzikës”