>
LETERSISHQIP

Ata Kanë Vetëm Një Stinë

Një stinë të vetme ata kanë
pranverën e tyre të bukur
sa here ai atë e puthte,
ajo shndërohej në një flutur.

Mjaftonte veç një shtrëngim dore
një qasje trupash e pafjalë
të shkrinin ngricat dimërore
dhe sytë të ndrinin si kristal.

Gjith’ qenia e saj bëhej lëndinë
ku bridhnin kuaj prej nektari
me trëndafila e jaseminë
për ta s’kish vlerë kalendari.

Pa pritur mijëra dallëndyshe
me simfoni mbushnin qytetin
dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
ata e donin njëri- tjetrin.

Ata jetonin vetëm një stinë
si rrënja në shkëmb mbin lumturia
me zogj të bardhë e jaseminë
kjo stinë mban emrin dashuria.