>
BIOSHQIP

Miranda Hashani, Shumë Shpejt Rikthimi Në Skenë

18-11-2013
U bë kohë që këngëtarja Miranda Hashani ka braktisur Kosovën për të jetuar në Gjermani. Ajo atje po merret me rritjen e dy djemve të saj, Donit dhe Detit, për të cilët thotë se ndjehet shumë e lumtur. Edhe pse jeton në një vend i cili i ofron një jetë të mirë, Miranda përsëri ndjen mall për Kosovën dhe ajo planifikon që një ditë të kthehet, sepse këtu ka adhuruesit dhe këtu ka karrierën muzikore, të cilën duhet ta vazhdojë edhe më tutje. Ajo planifikon që rikthimin e saj në skenën muzikore ta bëjë shumë shpejt, duke sjellë një këngë të re bashkë me videoklip. Këngën dhe klipin ajo thotë se do ta përgatitë me të njëjtit bashkëpunëtorë që ka pasur në këngën e fundit “Qiraxhiu” me të cilët është ndarë mjaft e kënaqur. Miranda gjatë kësaj periudhe është duke kaluar momente të lumtura me fëmijët dhe në njëfarë mënyre thotë se nuk po i mungon kënga dhe ngado që shkon e merr me vete sepse thuajse gjatë tërë ditës këndon bashkë me Donin këngët e fëmijërisë, për të cilat thotë se e paska marrë malli. Në intervistën dhënë “Zërit” Miranda flet më shumë për jetën në Gjermani dhe planet e saj për të ardhmen. - U bë një kohë që je duke i munguar skenës, cilat janë arsyet? - Aktualisht jam e angazhuar vetëm në rritjen e fëmijëve. Kam ndërprerë çdo aktivitet tjetër duke përfshirë edhe këngën. Po e shijoj dhe po kënaqem duke parë rritjen e djemve të mi, Donit dhe Detit. Qëndrimi 24 orë me djemtë ka bërë që unë mos të merrem me asnjë aktivitet tjetër, në fakt skenën do ta gjej përsëri aty. - Cili do të jetë projekti që do ta shënojë rikthimin tënd? - Do të rikthehem me një këngë e që do t’ia bashkëngjisë edhe klipin, përsëri me bashkëpunëtorët e mi Avni Qahili dhe kompania “EMF Creative” e Milot Llalloshit, ngaqë me këngën e fundit “Qiraxhiu” u ndava shumë e kënaqur.



- U bë kohë që jetoni në Gjermani, sa ke mundur të ambientohesh atje? - U bënë gati dy vite që jam këtu, unë jam mësuar me jetën këtu në Gjermani prandaj nuk e kam vështirë as të ambientohem. Të them të drejtën koha duke qëndruar me fëmijët po më shkon shumë shpejt kështu që nuk po mund të mendoj për gjëra tjera. - Cilat janë dallimet mes Gjermanisë dhe Kosovës? - Dallimi është shumë i madh. Ky shtet funksionon në mënyrë perfekte në dallim me Kosovën. Ndoshta arsye që këta janë moti shtet, ndërsa ne sapo jemi bërë. Le ta ketë Kosova shembull Gjermaninë si ndërtohet një shtet me ligje kaq të fuqishme. Nuk na ndajnë shumë kilometra e dallimi është shumë i madh. - Është vështirë të qenit nënë e dy fëmijëve? - Të them të drejtën qenka mjaft vështirë të rrisësh dy fëmijë njëkohësisht, por është edhe ana tjetër e kënaqësisë kur i sheh se si po rriten shëndoshë e mirë. Në fakt vërtet lodhem shumë, por kur i shikoj zemra mal më bëhet dhe harroj që jam e lodhur.



- Kur keni vendosur që të ktheheni në Kosovë? - Shpresoj në pranverën e ardhme të kthehemi në Kosovë. Na kërkon vendi siç ka thënë populli, sepse ky nuk është vendi ynë. - Sa po të mungon kënga gjatë kësaj periudhe? - Kënga nuk më mungon mua asnjëherë, ngado që shkoj e marr me vete, këndoj shumë tani edhe me Donin. Jam kthyer përsëri në repertorin e fëmijërisë. Sa këngë të bukura, paskam pasur nostalgji për to. - Çfarë pret në të ardhmen? - Për të ardhmen di të them vetëm se do të vazhdoj me këngën. Do të përgatitem për të magjistruar. Kam disa plane e dëshira, shpresoj të më realizohen. Pa harruar detyrën time kryesore për të qenë sa më afër familjes, të jemi së bashku me sa më pak mungesa. Duhet të bëj një balancë.
(Zëri)

Miranda Hashani, Shumë Shpejt Rikthimi Në Skenë