>
BIOSHQIP

2 Fjalë Për Klipin E Ri “Bring The Rain” Nga Miriam Cani

17-08-2014
Këngën e bukur "Shiu im" nga Miriam Cani tani mund ta dëgjojmë edhe në gjuhën angleze në kanalin zyrtar të saj në VEVO. Pas këngës "Labyrinth", Miriam Cani ka lansuar edhe këngën tjetër në kanalin e saj zyrtar në Youtube.



Kënga me titull "Bring the rain" mbetet e bukur si në verzionin shqip dhe ka edhe të njëjtin videoklip. Miriami do të promovojë këngën në Gjermani më 24 gusht në kanalin e njohur gjerman ZDF.



Per Miriam Canin priten edhe të reja të tjera të rëndësishme. Spektakli i madh i talentëve që mbahet në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në shumë vende në Evropë, X Factor, do të ketë ndryshime rrënjësore këtë edicion dhe dilemat duket se janë hequr. Mësojmë nga burime të sigurta se antaret e kaluara të jurisë, Tuna dhe Soni, do të zëvëndësohen nga Besa Kokëdhima dhe Miriam Cani.



Zgjedhja sipas këtyre burimeve është bërë nga producentja Vera Grabocka, e cila nuk arriti të mbajë Tunën edhe në edicionin e tretë, shkaku i përplasjeve me prezantuesen Alketa Vejsiun dhe angazhimeve të këngëtares dhe e njëjta besohet të ketë ndodhur edhe me Sonin. Tani që po afrohet edicioni i ri, Miriam Cani që ka qenë më parë në Voice of Albania, do të jetë përkrah Besa Kokëdhimës në tavolinën e jurisë së X Factor.



“Besa dhe Miriami janë parë si zgjidhje alternative nga Vera, ndonëse do të jetë i pazëvëndësueshëm shkëlqimi i Tunës, ashtu sikurse edhe prezenca e Sonit. Kombinimin perfekt që ka pasur X Factor po mundohet të mos e humbë, por do të jetë vështirë”, ka thënë ky burim i afërt me X Factor. Po ashtu ky burim ka zbuluar se edhe Eli Fara ka marrë një ofertë nga X Factor, por se ajo ka refuzuar për shkak të ofertës jo bindëse.
(Zëri/Telegrafi)

2 Fjalë Për Klipin E Ri “Bring The Rain” Nga Miriam Cani