>
BIOSHQIP

Mirsa Kerceli Kthen Bashkëshortin Në Gjilan

26-05-2013
Duket se ishte pikërisht kurorëzimi i saj me bashkëshortin, që e riktheu në skenën muzikore. Këngëtarja Mirsa Kërçeli, menjëherë pas lansimit të këngës ‘Club n’air’, i është përveshur angazhimeve tjera muzikore. Këngëtarja gjilanase ka bërë me dije për Tribuna se së shpejti do të sjellë edhe një këngë të moçme, të përpunuar nga ajo, të cilën ka vendosur ta interpretojë me njërin nga kolegët e saj.

“Momentalisht jam duke punuar rreth përpunimit të një kënge të vjetër shqiptare të cilën do ta prezantojmë edhe me videoklip. Këngën do ta sjell në duet më njërin nga këngëtarët tanë. Por nuk preferoj të shpalos detaje më shumë. Kemi vendosur që të jetë një surprizë për publikun”, ka treguar këngëtarja, duke bërë me dije se aktualisht ka nisur angazhimet rreth muzikës, si në ditët e para të saj në këtë fushë.

“Aktivitetet e mia janë të shumta edhe rreth mbrëmjeve të ndryshme muzikore. Jam shumë shpesh nëpër klube të shumta, ndërsa paraqitjet e mia më shumë janë fokusuar në vende të ndryshme në Kosovë”.

Pret me padurim lindjen e një bebeje

Por, nuk është vetëm muzika prioritet për të. Mirsa ka treguar se tashmë ka edhe një obligim shtesë në jetën e saj. “Tashmë unë jam kurorëzuar. Jetoj së bashku me bashkëshortin tim, ndaj të cilit jam e përkushtuar maksimalisht. Edhe pse është përfolur që unë do largohem nga Kosova drejt Kanadasë, kjo nuk është e vërtetë. Ka ndodhur e kundërta. Bashkëshorti im është kthyer këtu që të jetojë me mua, dhe këtë e ka bërë për dashuri (buzëqeshë)”.



Por, martesa thotë se nuk ka ndryshuar asgjë në jetën e saj. “Me martesën nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk paska diçka më ndryshe, edhe pse më thoshin se ‘kur të martohem gjërat ndryshojnë’. Por nuk ish ashtu, pasi që tek unë nuk ka asnjë lloj ndryshimi”, shprehet këngëtarja.

E meqenëse jeta e një çifti plotësohet më mirë me një fëmijë, këtë gjë nuk e mohon as këngëtarja, duke nënvizuar se ka dëshirë që shumë shpejt ta fitojë epitetin nënë. “Është normale që një fëmijë e plotëson një çift. Dhe gjithsesi mendoj që shumë shpejt të kemi rritje të numrit të anëtarëve të familjes”, shton për fund ajo.
(Express)

Mirsa Kerceli Kthen Bashkëshortin Në Gjilan