TEKSTESHQIP

Mirush Kabashi
Jam Shqiptar E Kosovar
Lyrics

Jam Shqiptar, paj Kosovar;
Zot, e krenar, Zot, e bujar,
mbi këtë dhé,

q'e kam si fe,

paj dhe
përmbi fé:
e kam Vatan!

e kam Atdhe!

ti o shkja po thërret,
ti o shkja po bërtet,
gjer lartë në retë,
se jam barbar.

paj jo more, s'jam,
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Shkja i Zi.

Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e nuk'dua,
Zot mbi mua.

Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi,
as fqinjëri,
as shkja
të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi,
ish Iliri;
kur nga një det në tjatrin det,
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti,
kur vetë Zoti,
e bëri fushën fushë, e malin mal hej.

Unë jam këtu e do të jem,
- dem baba dem -
sa mali të bëhet hi,
e hiri mal përsëri.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim,
që në vogëli
Jam si më sheh,
e si më njeh;
kësulëbardhë e kryelidhur,
kryelidhur me një shami;
me tri shami
për trimëri!

Jam eshtërmadh,
i vrazhdë jam,
e bojalli -
dhe sytë e mi,
janë plotë shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s'ka njeri -
për drejtësi,
e për liri.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim,
që në vogëli;
se babën tim ma vranë,
naçallnikët,
podporuçnikët
edhe gllavnikët.

Ma vranë,
se urdhër dha vojvodi,
e krali vetë:
"Të vritet!"
Se është Kosovar,
dhe se ish Zot,
mbi këtë dhe!

Dhe tokën që kisha nga baba,
nga gjyshi,
dem baba dem-
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet,
ma morën.
Ah!
Ma morën vatanin,
që e desha si xhanin!

Ma morën,
me armë në duar,
me gjak nëpër duar.
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shok;
si sorrat,
për kërrmë.

Oborin ma morën,
gjer në shtëpi,
dhe ngrenë për vete shtëpi,
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë,
që isha Zot,
që qëmot,
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe,
bari pa kope
këtu,
në dheun tim.

Dhe plori m'u ndryshk,
hambari m'u myshk...

Po shpresa s'mu vyshk!

Durova,
durova,
sa nuk duron njeri,
as Perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik,
e myfanik,
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras,
vëllanë,
sipas kanunit,
të gjakut...
Po s'desha!

Më thanë të ngrihem të ik,
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej,
paska për ne,
popull pa zot -
vend boll...

Po malli i vendit nuk më la,

paj gjaku i babës nuk më la.

Dhe mbeta këtu,

Mbeta raja,
e ndër raja,
si për hata;

Në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri,
i Kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani,
e Dani.

Po dot nga toka s'u ndava,
dhe mbeta të jem,
ku jam,
e ku do të jem.

Mbeta pa një bukë zeher lagur
me lot e njomur me vrer
po te pres te pres edhe un
nje tjatër mëngjes e dit per
dit e pa kismet sa rrojta
vojtje mshkaktove shkja
po kur do te vi dhe per mu dita
sot tani liri

Po malli i vendit s'më la.
Ah, malli i gjakut s'më la
e mbeta këtu,
raja.

Ta shemba shkja kufirin,
që ngrite ti,
në vendin tim e përmbi varr,
të babës tim.

Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes,
dhe të urrejtjes.

Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë,
që s'ka mbarim

Sa vjet ti më çave,
më ndave,
më vrave,

armik - lugat,
armik -xhelat!

Ti bëre azape - s'u tremba,
ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite;
t'i shemba!

Tani,
tani,
atje ku ti,
o Shkja i Zi,
ngrite kufi,
që ndanin,
e çanin,
vëllazëri;
Hej!
Sot!
Shkon,
e valon,
parmenda!

T'i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty,
gjurma t'u zhduk,
si në ujë.

I bie arës mes për mes,
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas,
me gaz,
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
e jetë pas jete!

Dhe ndjej si flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:

"Ta mbroni dhenë,
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë,
e pluhur jam.

Ta mbroni dhenë,
që e ushqej,
dhe sot si dje,
me kurmin tim.

Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun

Me grushte plot -
po kurrë lotë,
as sot,e as mot!
Se loti është robëri,
gjaku - liri!"

Jam eshtërmadh,
e bojalli,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim,
që pa pushim,
më rreh,
si Drin.
Dhe babën tim kur e kujtoj,
lotoj...

Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin, si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s'qava dot,
e të bërtas, sbërtita dot,
pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

Tani,
tani,
unë jam gati
të vdes që sot,
se rroj përmot;
mbytur me gjak,
po jo me lot,
për këtë dhe,
që e kam si fe,
e përmbi fe.
E kam vatan,
e kam atdhe!

Hej!
Po buças me zë kaba,
sa të dëgjohet në qiell lartë
sa të dëgjojë fund e kreje
kush gjak shqiptari ka në deje:
Shaban - vëlla!
Destan - baba!
Hej!
Komb i lirë Kosovar,
ti Komb Shqiptar, ti Zot krenar,
ti djalëri - ti pleqëri,
bëhu gati!
Bëhu gati për vrull të ri,
ta djegësh botën,
ta bësh hi,
për liri,
për Shqipëri!

Tani,
tani!
- O Shkja i Zi -
ja unë,
ja ti!

Po unë - jo ti,
se jam këtu kur s'kish njeri,
dhe as kufi,
as fqinjëri...

Unë jam këtu kur Mal i Zi,
me Shumadi,
me Dallmati - sa mban e gjitha Sheheri,
ish Iliri!
Kur nga një det në tjetrin det,
isha zot vetë!
Se jam këtu nga moti,
kur vetë Zoti,
e bëri fushën - fushë
e malin mal.

Unë jam këtu
e do të jem,
- dem baba dem -
sa mali të bëhet hi,
e hiri mal përsëri.

DËRGOI: