>
LETERSISHQIP

Pesha E Një Rrudhe Të Plakur

Shpërbëhet në miliarda kokërriza mikroskopike bukuria, dhe shpirti mbetet lakuriq përballë kësaj zhveshje të egër që vitet impon...ojnë. Ikin kokadhat kuturu kësaj mbrëmje ku shiu ia fshin lotët me duart e veta, të ftohta, akull. Askush. Në lagjet plot frymë të jetës askush nuk ndalet të shijoj këtë komedi që mbanë emrin e saj.
Ku janë vallë ata që der dje prehnin sytë kontureve të asaj bukurie? Ku janë ata që deheshin me vijëzimet e atij shtati që tashmë plakja i ka shpërfyturuar? Ku? Ku shkuan që të gjithë shtazët që lëngonin pas aromës së njomësisë së asaj femre dikur ikon e bukurisë?
Oh! Hapa që rënkojnë. Hapa që rëndohen. Hapa që ecin me ritmin e zvarritjes së shpirtit! Hapa të thinjur shkëputen nga trungu i saj dhe lën jargë rrugicave të kësaj bote të ndyrë. Hapa që vdesin!
Me syt mbushur që vërshonin gjinjve të vyshkur ajo pinte helmin e indiferencës, braktisjes. Grahma përbuzjeje në çdo çap të saj të lodhur. Oshëtinin thellësive të ndigjimit mendimet e rrëmujshme, kryeneçe. Mijëra granata idesh shpërthenin në shpinën e kërrusur të atij uni të plakur/thinjur. E lodhur ekzistencë e asaj bukurie të vyshkur nën këtë ajër të prishur.
Pak shpirt! Të shes pak shpirt për një grimë rini! - tha ajo. Mbi cepat e buzëve iu shtrigjën ëmbëlsisht rrezet e arta të diellit. Sakaq rrudhat sikur iu vanitët përballë asaj shprese vocërrake. Me kraharorin gati në të shpërthyer nga gëzimi i momentit, flokë pakrehur, këmbëzbathur, mori tatëpjetën e rrugëve që të çonin në zonën e dyqaneve marramendëse.
Kushdo do donte të zotëronte pak shpirt të huej! Kushdo do lakmonte... E lumtur, trokiste portave të kyçura të çdo kjoske. Trokiti në mënyrë aritmike si pulsimi i një zemrë të sëmurë për gati një orë por... Kurrkush s'ishte i gatshëm ti çelte portat qoftë dhe për ta dëgjuar! Veçse tingullit të buzëqeshjes së vrarë, asnjë kërcitje porte su dëgjua. Asnjë.
Heshtje të liga, armike. Heshtje vrasëtare hidhnin valle rreth saj. Brohoritje dashakeqe krakëllinin rrotull e ia përzinin gjithë asgjënë që bluante ai stomak i deformuar njerëzor. Po ajo? Ajo? E plakur. E vyshkur. Tashmë një lule pa aromë, pa bukuri, e keq dizenjuar nga vitet që kishin shkuar e s'ktheheshin dot më, notonte llumit të këtij fati mizorë dhe nën klithmat e një frymarrjeje të lodhur lutej der në çirrje që të mbytej!

Më shumë nga Mite Tabaku