>
LETERSISHQIP

Shpirt Pa Jetë

Mesnatë.
Akrepa e orës po puthen
Tek hapsirës së qiejve sundon terri i natës,
Pis, qymyr i zi, në zi.

Fluturoj.
Fluturoj mbi shpinën e një ëngjëlli pa krahë,
Në këtë qiell pa hënë e yje
Të shtrirë përdhe, të ngordhur e kockalegjër, të vdekur...

Unë,
Krijesë e cunguar që në ngjizje,
Frymë që përpëlitet në këtë burg botësie,
Sonte fluturoj mbi një aroplan krahëthyer,
E shoh, e ndjej e prek trupin e kotësisë.

Gjithçka tashmë është e imja.
Unë jam mbret i kohës,
Zot i gjithësisë,
Në këtë natë ku qeliza e mia mëkatare,
Qepallë-mbyllur, dremisin nën sytë e mi...

Qetësi mbytëse!

Diku tej, jehonë e një ngërdheshjeje
Më prish këtë çast sublim sundimi.
Oh! Ngërdheshje!
Ha ha ha aaa - hi hi hi iii - ho ho ho ooo
Prani nuk shof kurrkund, por nuk ndalet.
M'i thyen kufinjtë e durimit ky zë i çjerrë laraske,
Si kënga e korbit mbi kufomë të djallit...

Brënda meje ndizet
Kafshëri e një lloji që s'ka njohur kush mbi dhè,
Ulërimë neverie derdhet mbi bark të tokës,
Por prap nuk ndalet.

Bie,
Prej shpatullës të gjithësisë, rrëshqet qëndrimi
E derdhem shpatit të një kodre kujtimesh.
Befas, ngërdheshja zvarritet,
E si kurorë mbi kokë vërtiten dhimbjet.
Lot meteorësh mbi shpinën e krrusur nga vitet vizatojnë moshën time.

Ç'kontrast!
Lulezë e njomë
Reflekton një shpirt të vyshkur,
Rrudha e flokët të thinjura,
Ky imazh që lartësohet përballë pasqyrës jetësore.

Përbuzje.
Në ç'ëndërr përpëlitet qënia ime
E nuk zgjohet dot?!
Ç'mankth është ky pushtim që nuk njef kufi?
Dilemë.
Krak-hk-k-k-kh-k
U thye!
Ra mbi një gur loti zemra,
Dhe thërrmija-thërrmija
U humb në asgjënë e kësaj trajte jetësore (kafshërore).


Buçasin trumbetat e së shkuarës
Rrëzë veshit të një të tashmeje të sfilitur.
Si prej tërmetit trazohet frymë e të gjallit,
Humb ekuilibrin,
Rrëshqet si një ortek prej dëbore,
Rrotullohet e përfshin krejt çka mundet,
Molekulë e së keqes mbi trup të shpirtit tim.

Ah! Boshësi
E ftohtë si akull, e zbazët si asgjëja.
Këmbëzbathur notoj në boshësi.
Mbi shpinë krahët e thyer të ëngjëllit tim.

Eci rrugicave me kalldrëmta,
Të kësaj hallke ekzistence ku më përplasi lindja.
Stonim dëshirash,
Krakëllitje ndjenjash,
Dërdëllitje shpresash
Në këtë qeli ku fati desh të ish protagonist uni im!

Mallkim!
Vrer mallkimesh zbraz mbi ju, krijesa të kobshme, .
Ju, që më hodhët sa këtej, e më flakët sa andej
Qorrsakut të kësaj shtaze kopile,
E mbi eshtrat e mia gdhendët
Tjetërsimin tim ndaj botës,
Huajësimin mes meje dhe vetes,
Metamorfizimin e grimcave të përbërjes time.


Këmbët e zemrës nuk mbajnë më!
Zvarritje,
Sikurse krimbi më shkuan ditët.
Dhe sonte,
Kukumjaçka vajtoi mbi trupin tim shpirtin e asfiksuar.

Sonte nuk bëj rezistencë,
Ndonëse përpëlitem si zog i detit
Kur kokën i pret dora e njeriut.
Sonte dorëzohem,
I dorëzohem së njëjtës dorë,
Që heq zvarr të brendisë time në gjakftohtësi totale,
E krenarisht iki, venitem,
Zhdukem dal-nga-dal-ngadal- ngadal
Me zi të kësaj nate vrastare,
Që duar të gjakosura fshin
Mbi shpretkën e organizmit tim të dekompozuar.
Iki,
Teksa dita juaj e re rilind!

Më shumë nga Mite Tabaku