>
LETERSISHQIP

Dashuritë Janë Ditëlindje

Më është dukur vetja shumë i varfër sot,
kërkova dhe s’gjeta shkallë për në qiell,
u ula në gjunj para të madhit Zot, ...
për ditëlindjen tënde t’i kërkoja një diell.

Dhe një tufë me yje nga lëndina e kaltër,
do mblidhja me duart e nxehta të zemrës,
në zbritje s’do më duheshin më shkallët,
me krahë dashurie do ulesha në ëndërr.

Por qielli është larg, e di, shumë larg,
larg është edhe lisharësja e hënës,
në qiell ka ditë, por më shumë ka natë,
ti përkundesh si një këngë e ëmbël.

Dhe i end aq bukur rrjetat e puthjeve,
nën dritën e këngës ti qëndis ylber,
kot kërkoj qiellit shkallët e lutjeve,
kur shpirti yt është i tëri qiell.

Me ty jam i pasur mbi gjithë të pasurit,
dashuritë kanë ditëlindje çdo ditë,
hëna dhe yjet s’e zëvendësojnë dhuratën,
diellin e shpirtit bekuan perënditë.