>
LETERSISHQIP

Shtatë Germa

Në shtatë gërmat e emrit tënd
Shlodhen shtatë ngjyrat e ylberit.
Me shtatë nota mbillet çdo këngë...
Shtatë janë mrekullit e hemisferit!

Shtatë ditë e javës, një në çdo gërmë
E hëna,... e djela, të gjitha në valle
Ato shtatë gërma më lanë pa mend
Në shtatë qiej yjet ndezin zjarre!

Ato shtatë gërma janë gjaku i shpirtit
Janë engjëjt e bardhë që zbresin qiellit
Shtatë shandanët e qirinjëve të kishës
Larg nga shtatë rrathët e Aligherit!

Si në legjendë kam ngjitur shtatë male,
Blerim në shtatë gërmat e emrit tënd.
Simbolet e magjisë ndezin shtatë zjarre
Besa e besës si shtatë gurë të rëndë.

Shtatë gërmat e emrit-bekim i Zotit
Janë emblemat e kësaj dashurie
Shtatë janë të gjitha dhe shijet e lotit
Është flladi i vetëm i një simfonie!

Shtatë gërmat e emrit tënd
Janë shtatë shkallë drejt fronit të qiellit
Aty ku preh shpirtin çdo nënë
Atje ku ka vendlindjen dhe Dielli

Dhe unë shtatë germa kam në emër,
Shtatë strofa dhe në këtë poezi
Shtatë gërmat e mia kanë në zemër
Veç emrin tënd ndezur në përjetësi!