>
LETERSISHQIP

Ku Është Jeta?

Merre gëzimin tim si varkë me vela
Nëse do të lundrojmë nëpër ëndrra.
Dhe ison nëpër brigje do përhap era...
Kur kitara e dallgëve ndizet nga kënga.

Vetëm atje jemi lundërtarë të aftë
Mbi dallgë dhe shtratin e puthjeve.
Ëndrrat tona gjallojnë nëpër natë
Dhe ditën ndezim qirinjt e lutjeve.

Lutjet tona që kullojnë rrëshirë
Rrëshirë lotësh nga bregu i thinjur
Flakët e heshtjes si gurë të mpirë
Kambana e shpirtit çarë e ngjirrur.

Kaq smog intrigash s’ka parë qielli
Psherëtimat enden nëpër humnera
O Zot, po dielli? Ku është dielli
Mos ndoshta mërgoi n’orbita të tjera?

Prandaj gëzimin e rrisim nëpër natë,
Dhe ëndrrat fluturojnë si të verbëra
Na mbeti fryma tërë jetën mbi dallgë
Po jeta? Më thoni ku është jeta?