>
BIOSHQIP

Grupi Na, Rock Edhe Në Dasëm

12-09-2012
Kreshnik Koshi – Krashi, që është njëri prej anëtarëve të rok-grupit NA, është martuar të dielën në Gjakovë me Esmeraldën nga Tirana. Të ftuar ishin 300 dasmorë, kurse Krashi nuk e la pa e kënduar një këngë rok në dasmë.

Ndonjëherë nuk mjafton vetëm muzika popullore në një dasmë. Së paku kështu ndodhi në dasmën e Kreshnik Koshit – Krashit në Gjakovë të dielën në mbrëmje, i cili pavarësisht se do të hynte dhëndër mori mundin që të nxehte pak telat e kitarës për të bërë muzikë rok.

"Në dasmë kishte muzikë shqipe popullore, ndërsa për hir të dhëndrit, këndoi vetë dhëndri me grupin e tij rok 'NA' muzikë rok dhe shqipe po ashtu. Ndërsa këngëtari nuk u durua shumë dhe doli vetë në skenë për t'i "djegur" të gjithë që ishin aty me zërin dhe muzikën e tij mjaft zbavitëse", tha Kreshnik Oseku, anëtar i grupit NA.

Përderisa Kreshnik Koshi u martua me gocën tironse Esmeralda, grupi NA nuk kanë qenë edhe aq pa angazhim sivjet.

"NA janë të angazhuar me muzikë në klubin 'Tirana Rock' tri herë në javë".

Por, pos angazhimeve dhe mbrëmjeve që kanë atje, Oseku thotë se janë duke menduar edhe për album.

"Për album pritet që vitin tjetër bashkë më spot të realizojmë edhe diçka".

Ndërkaq, grupi karrierën më së shumti e fokuson në mbrëmjet që mbajnë në klubin "Tirana Rock", ku edhe kanë marrë një famë të madhe në Shqipëri dhe janë shumë "in" për momentin në Tiranë.

"Pothuajse çdokush në Tiranë tani e di kush jemi", thotë ai.

Por, këtu nuk do të ndalen risitë e grupit pasi që ata janë duke punuar për të realizuar sa më shpejt ndonjë këngë që do të ishte hit në të gjitha vendet ku flitet shqip.
(Express )

Grupi Na, Rock Edhe Në Dasëm