>
LETERSISHQIP

Trathëtorëtë

Shokë, kemi ne mest tënë
Shum' armik' e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s'kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh' e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qofte thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr' e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk' e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt' armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç'është kjo e madhe punë!

Fajn' e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë
T'ish ashtu, qe prishur jeta,
S'kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nderr' e tyre posht' e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh'e mira dh'e lig' e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S'ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjëjnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s'e dinë c'bëjnë,
Janë të verbër e s'shohin.

O, popo ç'turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s'janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn' e Shqipërisë,
S'duanë gjuhënë tënë
Armikët' e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç'bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun' e lig' edh' e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s'e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t'u vinë.

Vëllazërin' e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s'dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt' e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.