>
BIOSHQIP
Biografia
Naim Shemsi Plaku lindi ntë një fshat në zonën e Ujemujës, që shtrihet në shpatet lindore të vargmaleve të Korabit dhe i përket sot komunës së Sllovës. Është fëmija e katërt nga të shtatë fëmijët, katër djem e tri vajza që paten prindërit Shemsi dhe Esmahe.
Shemsiu u rrit jetim, por Zoti i pati falur dhunti pa kursim, zgjuarsi e gjallëri për të përvetësuar gjithçka të mirë në jetë. Që në vegjëli u provua me vështirësitë e saj. Vullneti për të arritur gjithçka bëri që të ndjekë mësimet në të parën shkollë shqipe që u hap në zonë, ku veç shqipes mësoi dhe pak arbisht. Në rininë e tij u përfshi i tëri në rradhët e rezistencës antisërbe dhe shërbeu për shumë kohë si sekretar personal i prijësit popullor Elez Isufi. Në mesin e viteve ’20 fitoi të drejtën për të punuar në administratën e Zogut, si sekretar komune në Reç, në Lurë e Sllatinë, etj. Nëna e Naimit, Esmahja ishte bija më e vogël e Elez Isufit, që pati mësuar pak shkrim e këndim shqip dhe ca kohë mësime feje me hoxhë Kallën. Ishte motra e Cen Elezin, Mehdi Elezit, Xhetan e Esat Elezin (Ndreun). Ka tre djem: Bajramin, Ramizin e Sadikun dhe tri vajza, Besimen, Limen dhe Afërditën.
Prindërit bënë çmos, deri në sakrificë, që t’u japin fëmijëve arsimin e nevojshëm, të mesëm e të lartë. Naimi mësimet e para i bëri në Sllatinë dhe Sllovë. Me shumë mundime arriti të vazhdojë Pedagogjiken e Peshkopisë nga viti 1954-1958. Me gjithë rezultatet e shkëlqyera, nuk iu dha e drejta të vazhdonte studimet e larta.
Në vitin 1958 caktohet mësues në 7-vjeçaren e Fushë- Alijes, pastaj në Ceren të Kalasë së Dodës, në Shumbat e në Sllovë për shumë vite, pastaj në Zall-Dardhë e Ostren të Gollobordës. Ndërkohë kishte mbaruar studimet e larta me korrespondencë për gjuhë e letërsi shqipe. Gjatë viteve 1969-1971 kreu shërbimin ushtarak në Fushë-Krujë dhe rifilloi punë në arsim në Sllovë gjer në vitin 1988. Për nevoja pune të Shtëpisë së Kulturës të rrethit, të cilat i kishte përballuar duke qenë mësues, e emruan fillimisht metodist e më pas drejtor në shtëpinë e Kulturës “Haki Stëmilli” të Peshkopisë, gjer sa doli në pension.
Është martuar me Vjollvën në vitin 1971 dhe ka banuar fillimisht në Sllatinë, në Peshkopi nga 1988-2006. Sot familjarisht banon në Tiranë. Ka katër fëmijë: Odaretën, Armandin, Naltonin dhe Paridin.
Ka qenë një ndër më mësuesit më të talentuar e më të dalluar në rrethin e Dibrës, merita që janë njohur dhe janë pasqyruar në karakteristikat e tij të punës, por që nuk janë vlerësuar për rrethanat politike të familjes së tij atë kohë. Ka dhënë kontribut të shquar në mësimdhënie, dhe në edukimin e brezit të ri, të vlerësuar nga personalitet më në zë të pedagogjisë e gjuhësisë shqiptare si profesorët E.Çabej,M. Domi, A. Kostallari, Q. Haxhihasani, B. Dedja, etj. Ka botuar shumë artikuj shkencorë për çeshtje të gjuhës, të folklorit e mesimdhënies në shtypin perodik si “ Mësuesi”, “Studime pedagogjike”, “ Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, etj. Ka qenë bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Institutit të Kulturës Popullore, ka marrë pjesë në shumë ekspedita kërkimore shkencore për mbledhjen e leksikut, të folklorit, etj., në vise të ndryshme të Shqipërisë që janë përfshirë edhe në botimet e këtyre institucioneve. Si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe ka arritur rezultate të shkëlqyera, sidomos në përgatitjen e talenteve të reja, në punët shkencore studimore. Shkolla e Sllovës qe kthyer në një kabinet të vërtetë eksperimentues për çeshtjet e zbatimit të normës letrare në shkolla dhe për veprimtaritë kulturore artistike shumë cilësore. Në vitin 1978 me inisiativën e nën kujdesin e tij, u zhvillua në Sllovë seminari mbarëkombëtar: “Gjuha letrare shqipe në shkolla. Nga viti 1965 ka qenë bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhës e Letërsisë dhe i Kulturës Popullore.
Veçanërisht një kontribut të çmuar ka dhënë në fushën e kulturës dhe të artit, si krijues, si gjurmues e hulumtues i folklorit, duke i pasqyruar ato në veprimtaritë kulturore e në botime të veçanta folklorike. Që nga viti1973 është hartuesi i materialeve letrare dhe i platformave të Festivaleve Folklorike Kombëtare të grupit përfaqësues të Dibrës. Është krijuesi i shumicës së teksteve të këngëve që interpretojnë me shumë sukses Arif Vladi, Liri Rasha, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Vera Laçi, etj., por edhe këngëtarë si Ilir Shaqiri, Haxhi Maqellara, e të tjerë nga diaspora. Është autori i shumë këngëve për fëmijë dhe i shumë libreteve e skenarëve në veprimtaritë e kulturës masive.
Të gjitha këto nuk janë vlerësuar e marrë në konsideratë fare në kohën e Diktaturës, përveç një medaljeje “Mësues i dalluar”, sepse babai i Naimit, kishte qenë nëpunës i regjimit zogist, se ishte nip i Cen, Xhetan e Esat Elezit (Ndreut), etj., pushkatuar, të dënuar e të internuar dhe se një motër të tij ishte martuar te kulaku sheh Iljazi i Vleshës.
Naimi ka prej vitesh disa vëllime në dorëshkrim me prozë e poezi, studime gjuhësore e pedagogjike, folklor burimor të mbledhur, monografi, etj., që nuk mund t’i botonte atë kohë. Shumë nga krijimet e tij poetike janë muzikuar e bëjnë jetë aktive skenike e mediatike.
Ka botuar së fundmi vëllimet “ Fllad e frullizë”,(2006) “Kreshtat e Korabit”(2006), “ Po të mos ishte Drini...” (2008) “Krojet e Zanave” -Folklor nga viset e Dibrës- (2010). Në nëntor të vitit 2010, me rastin e 70-vjetorit të lindjes Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike dhe Shoqata e Intelektualëve Dibranë, organizuan në Teatrin e Operas e Baletit një koncert madhështor në nderim të veprës së tij, si një vlerësim i merituar, por i vonuar. Me këtë rast dhe u nderua me titullin “Mirënjoje” nga Këshilli i Komus së Sllovës dhe “ Qytetar Nderi i Qakut të Dibrës” nga Këshilli i Qarkut të Dibrës”
Tani banon familjarisht në Tiranë dhe vazhdon të punojë akoma me pasion në krijime të mirëfillta letrare prozë e poezi, në mbledhje materialesh burimore të krijimtarisë popullore dhe në studime hulumtuese gjuhësore e folklorike.

Adresa aktuale:
Tiranë, Rruga “Don Bosko” Pallati “EMIRA”, Hyrja 2, Ap.11.