Më mbaj mend (për 1 muaj)

Nexhat Osmani, Mekanik I Motorëve Që Në ’99-ën

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  5
[27-06-2014]
Nexhat Osmani, këngëtari i mjaft hiteve, vjen në një intervistë ekskluzive, duke shpalosur kështu pasionin e tij mbi motorët, jetën e tij private dhe rreth projekteve më të reja. Qëndroni me ne…

Teksteshqip: Nexhat, na thoni kur keni filluar të këndoni?

Nexhat Osmani: Karrierën e kam filluar qysh në vitet 1996-1997, ku kemi punuar së bashku me Remzijen një album me disa duete. Në Zvicër kam qenë 2 vite në shoqërinë “Mërgimi”.



Teksteshqip: Si lindi ideja për të bashkëpunuar me motrën, Remzijen në vitin 2006?

Nexhat Osmani: Remzija ka qenë ajo e cila insistoi që ne të krijojmë projekte muzikore. Siç e ceka mëparë, se kemi punuar bashkë qysh në vitin 1996/97,por ngaqë unë kam jetuar një kohë të gjatë në Zvicër dhe m’u desht që të largohesha nga muzika për të vazhduar shkollimet. Remzija kishte kërkesa të mëdha për duete dhe më ofroi mua mundësinë për të bërë një duet dhe e punuam këngën “Mos u kthe”, projekt me të cilin rifillova karrierën time muzikore.

Teksteshqip: Nexhat, na flisni rreth mega-hitit, "Mos u kthe" !

Nexhat Osmani: Tekstin e këngës e ka bërë Nexhmije Muhaxheri, muzikën dhe aranzhmanin Wirusi (Nexhat Mujovi), videoklipin e punoi Art Fabe. Lirisht mund të themi që “Mos u kthe” ishte dhe mbetet një ndër projektet më të mira muzikore!



Teksteshqip: Si lindi albumi “Dashuri pa fjalë”, menjëherë pas mega-hitit?

Nexhat Osmani: Pas baladës “Mos u kthe”, ishte kërkesa e madhe për të punuar tutje, kështu, në bashkëpunim me Produksionin “Arboni”, vendosëm t’ia nisim punës rreth albumit, ku punuam me përkushtim të madh, duke publikuar 10 këngë me 5 videoklipe. S’kishte se si të mos korrte sukses një projekt I këtillë, për të cilin jam krenar edhe për atë se ato këngë e ruajnë freskinë edhe në këto ditë. Pas tij erdhi albumi I kënduar live, njëkohësisht punuar me Arbonin, e shumë kolazhe të tjera...

Teksteshqip: Nexhat, dimë se je i lindur në fshatin Mushtisht, fshat ky i cili ka dhënë mjaft për artin, duke nxjerrë kështu shumë artistë të muzikës, duke filluar nga Shyhretja, Shkurtja, Remzija, Motrat Mustafa, ti, e shumë të tjerë. Sikur duket, Mushtishtit i është rritur nami me artistët e tij. Na intereson të dijmë sa ka dhënë Mushtishti për ju!



Nexhat Osmani: Për brezin pak më të hershëm, siç janë Shyhretja, Shkurtja, Remzija etj, ka dhënë shumë se ka ekzistuar Shoqëria Kulturore - Artistike “Afërdita”, e cila ka përkrahur shumë talentët e rinj, kurse unë s’e kam arritur atë shoqëri. Si gjithë të rinjtë, edhe unë kam mundur të shpërngulem në Prishtinë, por dashuria për vendlindjen dhe vlerat e tij, nuk më lanë që unë ta lë pas dore atë dhe për vetë faktin që aty I kam të gjithë të dashurit e mi, të cilët më përkrahin vazhdimisht.

Teksteshqip: Nga kush përbëhet familja juaj dhe si e kalon një ditë të zakonshme Nexhati?

Nexhat Osmani: Familja ime e ngushtë përbëhet nga bashkëshortja Xhevahirja, djali Diamanti, vajza Xhoana. Kam babain, nënën, tre motra dhe dy vëllezër. Sa I përket një dite të zakonshme, kur s’kam angazhim rreth punës, ia kushtoj familjes, pra fëmijëve, po edhe me sport, futboll, ose bëj shëtitje me motor!



Teksteshqip: Pse, jeni i apasionuar pas motorëve?

Nexhat Osmani: Jam tepër i dhënë pas motorëve. Unë me profesion jam mekanik i motorrëve, lëmi mbi të cilën jam diplomuar në Zvicër në vitin 1999.

Teksteshqip: Po, a jeni të angazhuar nëpër mbrëmje e festime të ndryshme?

Nexhat Osmani: Si gjithmonë bashkë me Remzien jemi mjaft të angazhuar nëpër ahengje e mbrëmje, të cilat mundohemi t’I kryejmë me përpikmëri.

Teksteshqip: Kohët e fundit a jeni duke punuar rreth ndonjë projekti?

Nexhat Osmani: Po, tash së fundmi me një këngëtar të ri nga Zvicra, të quajtur Lindi, kemi bërë një bashkëpunim shumë të mirë, një këngë ritmike për verë. Muzikën dhe aranzhmanin e ka bërë Florent Boshnjaku, kurse videoklipin Enter Media. Kënga titullohet “Pa Facebook”, e cila është pëlqyer mjaft për këtë periudhë të shkurtër.

TeksteShqip: Nexhat, ne të falenderojmë që ndave këto çaste me portalin TeksteSHQIP.com dhe me fansat. Për fund dëshiron të shtosh diçka?...

Nexhat Osmani: Ju falenderoj shumë juve për këtë punë tepër me vlerë që e bëni. Fansat I përshëndes dhe premtoj për këngë e klipe të reja…
 (Arsim Kolari/Teksteshqip.Com)



Komente 4