>
BIOSHQIP

Nexhmije Pagarusha Nderohet Nga Nishani Me Urdhrin “Nderi I Kombit”

28-11-2012
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me Urdhrin "Nderi i Kombit" këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, me motivacionin: "Artistes së shquar me zë të rrallë dhe interpretim virtuoz, që i dha shpresë dhe besim popullit shqiptar të Kosovës në vitet e vështira të pushtimit serbomadh dhe që i shtoi vlera dhe cilësi të reja kulturës shqiptare, duke u bërë pikë e rëndësishme referimi në historinë e saj".

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, si Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, sopranot Edit Mihali e Shqipe Zani, këngëtarja e njohur nga Kosova Shpresa Gashi, Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, e mjaft personalitete të tjerë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se "është një kënaqësi dhe privilegj i madh që në ditët e gëzimit mbarëkombëtar të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të vlerësojmë të përkulemi me respekt në veprën e madhe kulturore dhe artistike të zonjës së madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha".

Presidenti Nishani vlerësoi se "Gjatë këtyre 100 viteve, ne shqiptarët kemi qenë të pushtuar, kemi qenë të ndarë, kemi qenë dhe të varfër, fatkeqësisht të izoluar, apo të vetizoluar, por artin, kulturën, këngën kurrë nuk mundën ta izolojnë, ta pengojnë, apo ta ndrydhin. Për ne është një fat që, në të gjitha kohërat, por veçanërisht në momentet e vështira të shqiptarëve, të atij izolimi të madh, që ne na imponuan të kishim nga njëri-tjetri në radhë të parë, mesazhi përmes artit, përmes kulturës, përmes shpirtit të zonjës së madhe Nexhmije Pagarusha ishte ndër të paktat ura lidhëse, ishte ndër mesazhet më të forta, që na mbajti gjallë dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për kombin tonë, vlerësimin për artin, për muzikën, për traditat tona, ishte ndër gjërat e pakta që na mbante gjallë shpesën për të qenë një ditë pranë njëri-tjetrit, për të qenë një ditë me njëri-tjetrin dhe sot, në këtë 100 vjetor, më shumë se kurrë ne duhet të vlerësojmë këto kontribute, këto përpjekje, që i pararenden këtij 100-vjetori dhe do të jenë në memorien e padiskutueshme të 200, 300, 500, apo 1000 viteve të ardhshme të kulturës, historisë së kombit shqiptar", u shpreh më tej Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit nënvizoi se është nder për vendin dhe tokën që e lindi zonjën e madhe Pagarusha, është nder për vet shqiptarët, që kanë në gjirin e tyre një artiste të madhe si artistja Pagarusha, dhe privilegj për Presidentin e Republikës që t'i akordojë zonjës së madhe Nexhmije Pagarusha titullin e lartë "Nderi i Kombit".

Artistja e madhe me fjalët e saj solli një emocion të rrallë tek të pranishmit, duke u shprehur se "Me këtë mirënjohje po jetoj historinë. Rroftë Nana Shqipëri! Përfitoj nga rasti që të gjithë popullin tim, që është anë e mbanë botës, t'ia uroj këtë ditë të gëzueshme, 100-vjetorin e Pavarësisë, 28 nëntorin dhe Pavarësinë e Kosovës. Ju qofshi shëndoshë e u kthefshi sa më parë në atdheun tonë të dashur!
(President.al)

Nexhmije Pagarusha Nderohet Nga Nishani Me Urdhrin “Nderi I Kombit”