>
BIOSHQIP

Nexhmije Pagarusha, Urime Ditëlindjen!

07-05-2013
Ajo është legjendë e gjallë, një yll i vërtetë që nuk do të shuhet kurrë, një diell i vërtetë i muzikës shqiptare ndër vite. Edhe pse larg muzikës, Nexhmije Pagarusha po e feston më e gjallë se kurrë ditëlindjen e saj të 80-të.
Një emër i jashtëzakonshëm do të lindej më 7 maj të vitit 1933, një vajzë nga e cila pritej shumë, me një zë të rallë që mahniste të gjithë pa dallim.

Sot, në ditëlindjen e saj të 80-të, legjenda shqiptare e muzikës, Nexhmie Pagarusha, ka përkujtuar edhe një herë karrierën e saj dhe dashurinë që ka nga publiku shqiptar, e që nuk i ka munguar kurrë.

“Ndihem shumë e lumtur, që po gjendem në mesin tuaj me gjithë këtë dashuri që po më rrethon. Karrierën e kam përfunduar pak herët, por është kjo ditë ajo që ma përkujton dashurinë që kam nga publiku, nga njerëzit, nga të gjithë shqiptarët”.

“Dua të falënderoj të gjithë që më gjenden pranë, që më kanë përkrahur dhe më duan, i uroj të gjithëve shumë shëndet dhe jetë të gjatë”, është shprehur Nexhmije Pagarusha në një prononcim ekskluziv për Telegrafin.

Ajo ditëlindjen e saj po e feston në një ceremoni private në restorantin “Pishat” në Prishtinë.

Nexhmije Pagarusha konsiderohet prej emrave më të mëdhenj në historinë e muzikës shqiptare.

Shkollën fillore ajo e përfundoi në Malishevë, kurse studimet universitare në shkollën e muzikës në drejtimin e solo kantos ajo i mbaroi në Beograd. Ajo e filloi karrierën muzikore pas përfundimit të studimeve në Radio Prishtina në vitin 1948.

Karriera e saj e mrekullueshme dhe e pakrahasueshme zgjati 40 vjet dhe është e vështirë të thuhet se cilit zhanër i takoi ajo, sepse ajo këndoi pothuajse të gjitha rimat e muzikës të asaj kohe. Interpretimet e saj në muzikën popullore ishin të përkryera, ashtu sikurse interpretimet e saj në muzikën klasike.

E ashtuquajtura me plot të drejtë “Bilbili i Kosovës” arriti të jetë e popullarizuar jo vetëm në trojet shqipfolëse, por në mbarë Ballkanin dhe më gjerë. Ajo madje ka mbajtur disa turne me ansamblin “Shota”, duke përfshirë edhe një turne në Izrael.

Një prej këngëve të saj më të popullarizuara është “Baresha”, pa përjashtuar as këngët tjera si “Ani More Nuse”, “Mora Testin”, “Kur më shkon si zogo n’hava”, “Kur më del në derë” dhe shumë e shumë këngë të tjera.

Nexhmije Pagarusha e përfundoi karrierën e saj në vitin 1984, pasi mbajti një koncert të madh në Sarajevë. Në vitin 2000 ajo iu rikthye skenës në televizionin shqiptar për të performuar këngën “Për Ty”, dhe atë pas plot 16 vitesh mungesë.

Urimë ditëlindjen legjendë, këngëtarja e shekullit...
(Telegrafi)

Nexhmije Pagarusha, Urime Ditëlindjen!