>
BIOSHQIP

Olta Boka: “Jam E Dashuruar Dhe E Lumtur”

29-03-2014
Olta Boka i këndon dashurisë së sigurt në “Top Fest 11”, në një duet me Erik Lloshin. Kënga “Ti më ke mua” konkurron për çmimin e madh, në garë me disa emra të tjerë të njohur artistësh, ndërkohë që është pëlqyer për mesazhin e dashurisë së vërtetë që jepet nëpërmjet vargjeve të saj. Pyetjes nëse titulli “Ti më ke mua” përkon me realitetin që po jeton ajo në çështjet e zemrës, Olta i përgjigjet: “E kam unë një person në jetën time dhe ndihem mirë në këtë moment që po jetoj”. Duke i kërkuar të flasë më shumë rreth lidhjes, ajo sqaron:”Unë mendoj që çdo marrëdhënie duhet të kaloje fazat që duhet t’i përjetojnë vetëm partnerët, e kjo për një kohë që vetëm ata mund ta vendosin së bashku. Ky është dhe rasti i lidhjes që kam unë”. Këngëtarja 22-vjeçare paraqitet sërish si konkurrente në skenë, pas pjesëmarrjes në festivalin “Kënga Magjike” me “Tango e fundit”, ku i këndohej një dashurie të marrë fund.



Olta prej vitesh është mjaft aktive si këngëtare “live” në lokalet e natës së bashku me Juliana Pashën, Sidrit Bejlerin dhe Kejsi Tolën. Ajo pohoi për “Panorama” se me fitimet nga muzika tashmë është bërë e pavarur nga familja e saj. Për sa u përket klikimeve që merr në youtube, Olta pohon se i intereson pëlqimi i fansave që ndjekin stilin e muzikës që ajo lëvron. Këngëtarja edhe në daljen e saj në “Top Fest” ka tërhequr vëmendjen për linjat elegante. “Kam fatin të kem një metabolizëm shumë të mirë. Prirem të jem natyrë shumë sportive dhe herë pas here praktikoj edhe ushtrime në shtëpi, në mungesë të frekuentimit të palestrës, të cilën për çështje kohe dhe mundësie nuk kam mundur ta ndjek rregullisht. Por shpresoj të rigjej kohën për këtë, pasi së bashku me notin i konsideroj si mundësitë e mira për të mbajtur një trup të shëndetshëm”, shprehet Olta.
(Panorama Plus)

Olta Boka: “Jam E Dashuruar Dhe E Lumtur”