>
LETERSISHQIP

Prijësi I Armatës Së Ëndrrave

E të shoh të strukur, me atë ndjenjë të bëme thërrime,

me copëza, thërrmija të saj përreth grumbulluar,

me pjesëza që po don t’i lidhësh edhe më fort,

prej teje kurrë më mos me i shkëput

se për to sot koha s'po ka më kohë,

se për to sot hapësira s'po ka më hapësirë,

se për to njeriu... eh njeriu!

Mos prit tjetër prej tij përpos vështrimeve,

nga ato vështrime që vetëm njeriu me dhënë di,

e nëse një ditë ajo ëndërr do të shuhet

dije se vetëm ato vështrime kanë me e fik,

se është i vogël krijues i saj, e madhe bota kundrejt tij.

E të shoh të strukur në atë ëndërr,

ato thërrmija të saj po do me i lidh fort, me mos tё humb asnjё

edhe njëherë pranë me i ngjit, edhe njëherë qysh si në fillim

(ç’do mbetej prej saj, nëse s’kishe me e dasht as ti?)

se sot je veç një prijës i ndjekur nga ëndërr e tij

e për të fituar nuk nevojitet tjetër përpos aftësisë për të dëshiruar,

aq shumë me ëndërruar, aq më shumë me shpresuar,

sa mund të vdesë një njeri, por jo dëshirë e tij.