>
BIOSHQIP

(1931-2011)

Biografia
Pavlina Nikaj mbetet një nga këngëtaret me zë të papërsëritshëm. Këngëtarja Pavlina Nikaj, së bashku me Anita Taken dhe Pjetër Gjergjin, mund të konsiderohen si “pionierët” e interpretimit të muzikës së lehtë shqiptare. Pavlina ka nisur të këndojë që në moshë shumë të re. E cilësuar si një nga ikonat e artit shqiptar, Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça. Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës ku këndoi afro 20 vjet.

Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj. Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj. Së bashku me Anita Taken formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. P.Nikaj ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e saja ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut.

Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro”, etj.

E njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i këngëtares Pavlina Nikaj, në vitin 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin.

Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005. Kjo ceremoni është zhvilluar dje në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, në orën 11.00. Kjo dekoratë i është dorëzuar artistes nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të asaj kohe, znj. Arta Dade, me motivacionin: “Për aktivitet të gjerë dhe merita të larta në muzikën shqiptare, pioniere e interpretimit të këngës së lehtë”. E cilësuar si një nga ikonat e artit shqiptar, në vitin 2005 nderohet me titullin “Qytetare Nderi” me motivacionin: “Për merita të shquara në fushën e artit, me një personalitet të padiskutueshëm artistik, për krijimin e veprave, të cilat kanë lënë gjurmë të shquara në fondin e artë të kulturës kombëtare”.