>
LETERSISHQIP

Varrimet E Naim Frashërit

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
çdo herë e më të lehta eshtrat e holla
gjithmonë e më i madh varri.

Gjithmonë e më i vogël arkivoli
a thua se varrosnin një violinë,
Ti fat i Shqipërisë që u ngrite si i marri
Kur kombi ish me një këmbë në greminë

Gatitu para eshtrave të tua një Mbret,
Jakomoni me stemat e arta fashiste,
Në rresht e gjitha me grushtin përpjetë
Byroja e ngjeshur komuniste.

Të gjithë kërkonin nga ty pak lavdi
Po ti atë me kohë e kishe dhënë,
Kur Shqipëria firasej si hëna nën mjegull
Ti thirre i pari: Zgjohu, moj Nënë!

Dhe ashtu si Krishti që ngriti Llazarin
Ti Atdheun e zgjove nga hashashi osman,
i vetën kaq gjë mund ta bënte veç Zoti
dhe ti grimca e tij, fati ynë naimian.

Nën furrën e ballit sa gjysmë e Tomorit
shqipen e shkrive dhe e derdhe si ar,
një nga një me ujin e lumenjve të kulluar
na pagëzove e na dhe emrin shqip-ë-tar

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
Të gjashtin e te fundit sa shumë do ta desha
Në Frashër,…si Meka e çdo udhëtari…

Zbathur, në këmbë unë rrugën do ta bëja,
mbi sup si violinë t’i mbaja ato eshtra,
I dehur nga besimi se aty nëpër shekuj
Shqipëria do të derdhet nëpër mijëra rreshta…

Tiranë, 25 maj 2019, datëlindja e Poetit Kombëtar Naim Frashëri.

Shënim sqarues mbi pesë varrimet e poetit:

Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri vdiq në 25 maj të vitit1900 dhe u varros në Merdiven -Koj pranë një teqeje të vogël në Stamboll.

Varrimi i tij i dytë u bë më 3 qershor 1937 në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë me rastin e festimit të 25 vjetorit të Pavarësisë në një ceremoni madhështore të shtetit shqiptar dhe me interesimin e vet Mbretit Zog, i cili mori përsipër personalisht shpenzimet e sjelljes së eshtrave të tij prej Turqisë.

Varrimi i tretë u bë në 9 prill 1940, nën pushtimin fashist italian, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së tij, nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë) sërish në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, por në një varr të ri monumental të ideuar dhe financuar nga Jakomoni. Mbi mermer u vendos ky shënim: “Dhuratë e Shkëlqesisë së tij, Mëkëmbësit të Përgjithshëm, Françesko Jakomoni”

Varrimi i katërt, u bë në 20 prill 1950 nga qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, në qendër të Tiranës aty ku janë ende sot tre bustet e vëllezërve Frashëri.

Varrimi i pestë u krye në Tiranë më 10 qershor 1978 në kuadrin e festimeve madhështore për 100 vjetorin e krijimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Nga sheshi “Skënderbej” të vendosur në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Naim e Abdyl Frashëri të shoqëruar nga mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë, (përfshi sekretarin e KQ të PPSH, Enver Hoxha), u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin e Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin.

Varrimi i gjashtë… një dëshirë hipotetike e imja, (!) që Poeti Kombëtar duhet të prehet përfundimisht një ditë aty ku lindi, në Frashër të Përmetit, duke e kthyer këtë fshat të shenjtë të Shqipërisë në një lloj Meke të shqiptarizmit…