>
BIOSHQIP

(1949-2020)

Biografia
Rapsodi Riza Daci ka lindur në fshatin Irzniq të komunës së Deçanit me 3 maj të vitit 1949, ndërsa që nga viti 1986 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Bronx të Nju Jorkut.

Ai është munduar dhe ia ka arritur me sukses të kultivojë dhe të ruajë të gjallë edhe këngën e pastër shqipe, të cilës nuk iu ndaj nga viti 1971. Kënga dhe zëri burëror i Riza Dacit, prej një rapsodi të lindur për të interpretuar këngën e pastër shqipe, jehoi për dekada me radhë në oda burrash kudo në Kosovë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë forcë e mbështetje idelave të lirisë së atdheut dhe duke i bërë njerëzit të ndiheshin më krenarë për historinë e tyre të derdhur tash në tela sharkie, që me aq mjeshtëri diti ta qëndiste Riza Daci, ky burrë, i vogël me shtat, por i madh me zemër ka një fuqi marramendëse të zërit, që herë të duket se po këndon vetë legjenda e folklorit shqiptar, Dervish Shaqa. Megjithatë, në zërin e Riza Dacit ka diçka të veçantë, sepse Riza nuk mundohet të emitjojë askënd, sepse vet ka lindur këngëtar dhe zëri i tij është vërtet i veçantë.

Riza Daci vdiq më 27 mars 2020 në Bronx të Nju Jorkut. Me shuarjen e tij, folklori ynë mbeti edhe pa njërin nga rapsodët tipik të kultivimit të këngës dhe melosit popullor shqiptar. Por, kënga dhe zëri i rapsodit Riza Daci do të mbeten gjatë në kujtesën popullore dhe të fonotekës së melosit popullor shqiptar.
- Besim Muhadri