>
BIOSHQIP

Roderika Ukelli, Superylli Që Shkëlqeu Edhe Në Tiranë

11-06-2013
Pas suksesit në festivalin e videoklipeve “Tingulli im", ekspertët e muzikës e vlerësojnë lart Roderika Ukellin

Roderika i mori dy çmime të rëndësishme, atë të “publikut” dhe për “mesazhin më të mirë”

Kënga "Diferenca" e theu rekordin, priu bindshëm me 3328 vota

Moment interesant dhe emocionues ishte letra e babait të Jetonit të vogël, fëmijë autist, i cili, mes tjerash, shkruante: "...pasi e dëgjuam këngën “Diferenca”, në ‘Junior TV’, i cili është një stacion shumë i dashur për tim bir, ne u ulëm, si zakonisht, së bashku për të parë pamjet e fiksuara te videoklipit...” Ju nuk mund ta besoni, por ai filloi të këndojë: “Njëri e do zhurmën, e tjetri qetësinë, njëri më ngadalë, tjetri do shpejtësinë, jemi unë e ti, janë ajo e ai, botës diferenca i jep bukuri. Ju nuk mund ta besoni, por muzika, krijimtaria, vë në lëvizje mekanizma të panjohur të botës emocionale te një fëmijë dhe mund të bëjë mrekulli. Faleminderit vajza e vogël, e quajtur Roderika. Një përqafim nga Jetoni i vogël...”

Të dielën mbrëma në Tiranë, në hotelin “Sheraton”, është mbajtur festivali i videoklipeve për fëmijë, “Tingulli im”, ku super-këngëtarja e talentuar nga Kosova, Roderika Ukelli, i mori dy çmime të rëndësishme, atë të “publikut” dhe për “mesazhin më të mirë”.

E veçantë nga fëmijët e tjerë

Pas marrjes së shpërblimeve, Roderika është shprehur e kënaqur, por edhe e emocionuar që arriti t’i marrë dy çmime në një festival kaq të rëndësishëm, siç është “Tingulli im”. “Jam shumë e lumtur që arrita të marr dy çmime në festivalin “Tingulli im”. Sigurisht se të dyja e kanë rëndësinë e vet dhe të dyja i përjetova me emocione. Çmimi i publikut më bëri të ndihem e veçantë nga fëmijët e tjerë, për faktin se, përveçse kam marrë vota nga Kosova, kësaj radhe i kam prekur edhe zemrat e fëmijëve nga Shqipëria, e këtë e dëshmon edhe fakti se e kisha marrë numrin dukshëm më të madh të votave për dallim nga konkurrentët e tjerë”, ka thënë Roderika, e cila ka shtuar se është emocionuar shumë kur e ka marrë çmimin “Mesazhi më i mirë”, për arsye edhe të letrës së Jonit të vogël. “Sa i përket çmimit ‘për mesazhin më të mirë’ mund të them se në momentin kur isha në skenë dhe e dëgjoja duke e lexuar letrën e babait të Jetonit të vogël, thjesht më bëri të qaja. Ishin momente shumë emocionuese, por kjo tregon se qëllimin që e kisha kur e bëra këtë këngë e arrita, pasi e dërgova mesazhin aty ku edhe duhej. Këto dy çmime më kanë motivuar tej mase dhe më shtyjnë të punoj edhe më shumë. U premtoj adhuruesve të muzikës sime se shumë shpejt do të kthehem me një këngë të re, e cila sërish do t’ua marrë zemrat jo vetëm fëmijëve, por të gjithë atyre që e duan muzikën”, nënvizoi Roderika, e lumtur për çmimet, por edhe për mesazhin që e dërgon kënga “Diferenca”.

Letra emocionuese e babait të Jetonit të vogël

Moment interesant dhe emocionues ishte letra e babai të Jetonit të vogël, drejtuar Roderika Ukellit, të cilën e sjellim më poshtë. “Unë u përpoqa që të gjeja mënyra për ta kuptuar më mirë djalin tim dhe nuk kam reshtur kurrë së kërkuari krijimin e një lidhjeje me tim bir. Për shkak të diagnozës që ka, im bir herë pas here tenton që të ndahet nga realiteti dhe të veçohet nga fëmijët e tjerë. Megjithëse i vogël, e kupton që diçka nuk shkon me atë dhe fëmijët e tjerë. Brenda tij ai është në mbretërinë e panjohur për mua dhe më duhet që të pres disa kohë derisa im bir sërish të ketë dëshirë ta ndajë me të tjerët botën e tij, edhe pse kjo fatkeqësisht ndodh rrallë. Kur bashkëpunojmë ndonjëherë jam unë që e drejtoj punën, herëve të tjera është im bir dhe shpesh ai më befason me gjetjet e tij të papritura. Pasi e dëgjuam këngën “Diferenca”, në “Junior TV”, i cili është një stacion shumë i dashur për tim bir, ne u ulëm, si zakonisht, së bashku, për të parë pamjet e fiksuara te videoklipi... Ju nuk mund ta besoni, por ai filloi të këndojë. “Njëri e do zhurmën, e tjetri qetësinë, njëri më ngadalë, tjetri do shpejtësinë, jemi unë e ti, janë ajo e ai, botës diferenca i jep bukuri”. Ju nuk mund ta besoni, por muzika, krijimtaria, vë në lëvizje mekanizma të panjohur të botës emocionale te një fëmijë dhe mund të bëjë mrekulli. Faleminderit vajza e vogël e quajtur Roderika. Një përqafim nga Jetoni i vogël...”

Armend Rexhepagiqi: Roderika më gëzon me çmimet që i fiton

Ndërkaq, ekspertët e muzikës në Kosovë e vlerësojnë lart arritjen e Roderika Ukellit, duke thënë se është këngëtare e talentuar, me një të ardhme të ndritur.
Kompozitori i njohur, Armend Rexhepagiqi, i cili e ka kompozuar këngën “Diferenca”, thotë se nuk është çuditur shumë për çmimin “mesazhi më i mirë”, sepse kënga i ka pasur të gjithë komponentët ta fitojë atë çmim, por atë e gëzon fakti që Roderika e mori çmimin e “publikut". “Roderika gjithnjë e më shpesh po më gëzon me shpërblimet e bukura që i fiton. Nuk mund të them që suksesi i saj është befasi për mua, mendoj që ai është vetëm një rrugë e pritur nga vajza, e cila ka aq talent dhe dëshirë, si dhe nga vajza që është aq punëtore. "Diferenca" është një këngë shumë e ndjeshme, këngë me porosi të veçantë për njerëzit e veçantë, ndaj nuk me duket çudi të fitojë çmimin për mesazhin më të mirë. Ajo që më gëzon pa masë është fakti që një këngë e tillë ta marrë edhe çmimin e “publikut”, gjë që flet se çfarëdo që punohet sinqerisht dhe me plot zemër medoemos arrin te zemrat e njerëzve”, tha kompozitori Rexhepagiqi.

Roderika, me zë të mrekullueshëm

Kurse, Berat Hasani, drejtor i produksionit “Pinkmoon”, tha se e gëzon fakti që Roderika i mori dy çmime për një videoklip shumë të veçantë. “Së pari më gëzon fakti se dy çmime të këtij projekti janë shumë me peshë, si çmimi i ‘publikut’ ashtu edhe ai për ‘mesazhin më të mirë’. Kjo tregon për një sukses të madh të Roderikës me këtë këngë. Është dëshmi që mesazhi i këtij projekti ka arritur aty ku duhet, flet për një vetëdijesim të shoqërisë në raport dhe këtë shtresë të njerëzve, të cilët janë pjesë e pandashme e jetës sonë. Urime edhe Roderikës për interpretimin e saj brilant, suksese në të ardhmen”, nënvizoi ai. Kitaristi i mirënjohur, Naser Dula, tha se Roderika është këngëtare e jashtëzakonshme, e cila nga dita në ditë është duke u rritur artistikisht. “Roderika Ukelli ka potencial të madh për muzikë, ka zë të mrekullueshëm dhe çmimet që i ka marrë në Tiranë janë një vlerësim shumë i madh për të dhe normalisht shumë i rëndësishëm. Jam shumë i bindur në sukseset e Roderikës, sepse është një këngëtare që premton shumë. Unë do t’i preferoja që ajo të bashkëpunojë edhe me Adrian Hilën dhe Jorgji Papingjin, sepse mendoj se tani ka ardhur koha kur ajo mund të këndojë këngë që konsiderohen të vështira”, u shpreh ai.

Mimi Memiaj: “Tingulli im”, vitin e ardhshëm në Kosovë!

Mimi Memiaj, producente e “Video Kids Awards 2013”, ka thënë se ka ndier kënaqësi në organizimin e festivalit të vetëm për fëmijë për videoklipe, i cili u organizua për herë të dytë në Tiranë. Megjithatë, ajo ka premtuar se vitin e ardhshëm ky festival do të mbahet në Kosovë. “Duke marrë parasysh numrin e madh të fëmijëve nga Kosova që marrin pjesë në këtë eveniment, atëherë ne e shohim të arsyeshme që vitin e ardhshëm të vijmë në Kosovë me këtë festival të fëmijëve. Do të ishte kënaqësi e madhe, pasi që Kosova ka talente të shumta për muzikë dhe njëkohësisht do të ishte motivim më i madh për këngëtarët dhe këngëtaret e reja që të performojnë para publikut të tyre. Shpresoj shumë se kjo gjë do të realizohet”, ka deklaruar Memiaj për “Kosova Sot”. Duhet theksuar se juria e “Video Kids Awards 2013” përbëhej nga personalitete të shquara të muzikës dhe aktrimit, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova.

3328 vota i ka marrë Roderika Ukelli nga televotimi dhe kështu e ka thyer rekordin në “Video Kids Awards 2013”.
(kosova-sot)

Roderika Ukelli, Superylli Që Shkëlqeu Edhe Në Tiranë