>
BIOSHQIP

Rosela Gjylbegu: “Dhuroni Sa Më Shumë Dashuri”

16-12-2014
Rosela Gjylbegu, e cila së fundmi ishte pjesë e festivalit "Kënga Magjike", vjen në një intervistë ekskluzive për teksteshqip.com. "Rri me mua" titullohet kënga me të cilën Rosela u prezantua në natën finale të këtij festivali dhe na rrëfen gjithçka rreth prapaskenave të eventit si dhe për 2 çmimet që ajo rrëmbeu. Rosela gjithashtu do të jetë aktive në muzikë edhe gjatë festave të fundvitit. Për më shumë detaje na i tregon vetë Rosela në intervistën më poshtë...

TeksteShqip: Rosela, jeni paraqtiur së fundmi në festivalin Kënga Magjike me këngën "Rri me mua". Na tregoni pak emocionet e natës finale?

Rosela Gjylbegu: Kisha shumë emocione sigurisht, mora çmimin "Balada më e mirë" dhe jam shumë e lumtur, u prita mirë nga publiku, mesazhet dhe urimet vazhdojnë akoma edhe sot kështu që mendoj që ia kam arritur qëllimit të transmetoj emocionin e këngës ashtu siç duhej duke depërtuar në zemrat e të gjithëve.

TeksteShqip: Morët edhe çmimin e tretë, ju afruat shumë çmimit të parë. Mendoni se meritonit më shumë dhe sa jeni ndjerë e vlerësuar nga kolegët?

Rosela Gjylbegu: Unë mendoj që s'kam çfarë të them më tepër, kolegët e thanë mendimin e vlerësimin e tyre, unë jam e kënaqur dhe siç e kuptuat unë kisha votuar maksimalisht për dy këngët e vendit të dytë e të parë.



TeksteShqip: Mos ndoshta fakti që kënga juaj u prezantua e fundit në fazën e parë të festivalit tek "E diela shqiptare", ka ndikuar që kënga të mos ketë kohën e duhur për të rënë në sy dhe për të reflektuar?

Rosela Gjylbegu: Jo nuk e mendoj të jetë kjo arsyeja, ka pasur kohë mjaftueshëm për tu dëgjuar kënga mendoj që është çështje shijesh mendimesh.

TeksteShqip: "Rri me mua"e punuar nga Adi Hila, ka qenë thjeshtë inspirim apo ka dicka nga jeta private dhe kush ishte ëngjëlli të cilit ja dedikuat çmimin "Best Baladë" në natën finale?

Rosela Gjylbegu: "Rri me mua" ështe një baladë ku e gjejnë vetën të gjithë, dëshira jonë ishte të bënim një këngë që të godiste emocionalisht dhe mendoj se ky emocion u transmetua që me daljen time të parë. Ëngjëlli im është babai im që nuk jeton më, ai më mbron nga lart dhe ia dedikoj atij çdo gjë që unë bëj.



TeksteShqip: Cilat do të jenë projektet e ardhshme të Roselës pas Këngës Magjike? Keni vendosur të vini me këngë të re, me klip të ri...?

Rosela Gjylbegu: Momentalisht kam ngarkesë koncerte e aktivitete sepse është fundviti, me fillimin e vitit të ri do konkretizoj e organizoj projektet e planet që kam në mëndje.

TeksteShqip: Po për festat e fundvitit i keni rezervuar data e koncerteve akoma, apo keni vendosur ti festoni të gjitha me familjen?

Rosela Gjylbegu: Deri me 31 kam shumë aktivitete, koncerte, por natën e ndërrimit të viteve kam zgjedhur të rri pranë familjes sime.

TeksteShqip: Rosela, jeni nga ata persona që rrallë herë prononcoheni për jetën private. A mund të na tregoni pak si është Rosela në këtë drejtim?

Rosela Gjylbegu: Kam zgjedhur të mos prononcohem sepse mendoj që jeta private është e shenjtë dhe s'dua të shprehem, uroj që të gjithë e mirëkuptojnë këtë gjë sado që janë kurioz e duan të dinë më tepër.



TeksteShqip: Keni marrë pjesë disa herë në festivalin e fundvitit në RTSH. Çfarë mendimi keni për këtë festval dhe a do të merrni sërish pjesë, dhe pse jo të zgjidheshit përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision?

Rosela Gjylbegu: Unë kam marrë pjesë shumë herë, jam vlerësuar disa herë me çmime të rëndësishme, e kam përjetuar njëherë eksperiencën e Eurovizionit me Anjeza Shahinin në vitin 2004 dhe nuk është se kam ndonjë kuriozitet sepse e kam provuar atë ndjesi edhe pse jo drejtë për drejtë, mendoj që ka kohë për gjithçka, atje shkohet me një këngë që e meriton jo me planifikim.

TeksteShqip: Rosela, kur do të kemi në treg një album muzikor nga ju?

Rosela Gjylbegu: Këtë s'di ta them sepse tashmë nga që çdo gjë blihet online ju ka humbur vlera cd-ve në shitje, por po mendoj të bëj një përmbledhje me këngët e mia për gjithë ato që kanë dëshirë ti kenë.



TeksteShqip: Rosela, ju falenderojmë shumë që gjetët kohë për intervistën. Për fund, çfarë mesazhi keni për t'ju dhënë lexuesve?

Rosela Gjylbegu: Faleminderit juve për dashamirësinë, ju uroj të gjithë lexuesve gëzuar krishtëlindjet dhe vitin e ri. I uroj nga zemra çdo të mirë në familjet e tyre dhe shëndet. Dhuroni sa më shumë dashuri.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Rosela Gjylbegu: “Dhuroni Sa Më Shumë Dashuri”