>
BIOSHQIP

Rovena Dilo: Per Dashurine Nuk Mjafton Nje Dite Ne Kalendar

14-02-2012
Këngëtarja e mirënjohur flet për ndjenjat, në një intervistë kryekëput për dashurinë. Si e gjen ky Shën Valentin Rovena Dilon, dhe projektet muzikore për dy këngë të reja.

Shigjeta e Kupidit ka qëlluar në shenjë edhe për të! Ndonëse kundër rrymës dhe me përqasje tërësisht jo konvencionale, për këngëtaren e njohur të skenës shqiptare duket se vetëm një ditë në kalendar nuk mjafton për të shprehur dashurinë.

Dhe në këtë pikë e ka fjalën për festën e Shën Valentinit. Atmosfera e zhurmshme, me gjallëri njerëzish nëpër rrugët e kryeqytetit, mbushur me ngjyra e trëndafila të kuq, "infekton" çdokënd, përfshi edhe vetë Rovena Dilon.

Me gjithë dëshirën për të mos i kthyer ndjenjat në kryefjalën e ditës së 14 shkurtit, e cila nuk do të mjaftonte për t'u ndier e plotësuar shpirtërisht, këngëtarja preferon të tjera forma të të festuarit, jo shumë larg klisheve, por që e plotësojnë, sidomos kur pranë ka njerëzit e duhur. Me bashkëshortin e saj, Florin, kanë menduar një alternativë më praktike, të festojnë me miqtë e afërt, ndërsa ndjenjat që mëshirojnë plotësimin shpirtëror dhe atë fizik ngjan se i rezervojnë vetëm për njëri-tjetrin.

Këtë herë, Rovena ka preferuar të flasë mirëfilli për to, sipas mënyrës së saj, diku e rezervuar në detaje të jetës private, e herë të tjera e mbushur me dëshirë për të rrëfyer për dashurinë, që prej vitesh po përjeton me ish-futbollistin e njohur, Florian Riza.

Intervistoi: Ermira Isufaj

Rovena, a është Shën Valentini për ju një festë e vërtetë për dashurinë?

Mendoj se dashuria është një fjalë shumë e madhe, që përfaqëson ndjenjën më të madhe. Një ditë në kalendar është tepër pak. Shpesh, Shën Valentini më ngjan si një kambanë e vogël që bie vetëm një herë në kishën e pamat të dashurisë. Besoj se dashuria është vetë e vërteta, dhe për këtë i duhen të gjitha ditët.

Ka ditë të shënuara në jetën tuaj?

Ka data të shënuara, që janë mjaft të rëndësishme në jetën time. Ditëlindjet, ditët përkujtimore, festat kombëtare. Por, kam përshtypjen se Shën Valentini nuk është një prej tyre. Kjo festë më tepër më ngjan me një panair ngjyrash të kuqe. Gjithsesi, duke qenë një festë më tepër, një ditë me motivin e fortë për t'u gëzuar, e respektoj.

Pra, për ju dashuria nuk mund të konturohet vetëm në një datë specifike?

Do të ishte absurde. Vetë fjala kontur është kaq e vogël dhe e brishtë. Dashuria për mua është gjithçka, është vetë ekzistenca. Prandaj, me zemërgjerësi, i pranon të gjitha, edhe festat e vogla.

Megjithatë, një festë e tillë, a ju motivon drejt një organizmi më special të ditës suaj?

Kjo po që më ndodh. E gjej veten bashkë me Florin, duke menduar se ku do të shkojmë për një drekë o një darkë. Atmosfera e përgjithshme "të infekton" në një mënyrë apo një tjetër. Këtë vit kemi menduar të drekojmë me miqtë tanë, jemi të ftuar, por më shumë për t'u mbledhur sesa për të festuar dashurinë (qesh).

Është Shën Valentini një rast për të "rivlerësuar" raportin me partnerin?

Dashuria për partnerin mund të rivlerësohet në mijëra mënyra, s'ka pse të varet nga një ditë e shënuar në kalendar. Të shprehësh dashurinë, është gjithmonë bukur, pse jo edhe në një ditë të veçantë dhe speciale siç është Dita e të dashuruarve.

Gjithsesi, "Shën Valentini" mbetet një festë relativisht e vonë për shqiptarët, apo jo?

Besoj se shqiptarët kanë pasur shumë mungesa më jetike ndër vite. Ndoshta u mungonte liria për të dashuruar me gjithë shpirt. Por, festa kaherë ka pasur me bollëk.

Po për ju si ka ardhur kjo festë për herë të parë?

Në mënyrë shumë romantike, nëpërmjet vargjeve të këngës së Ofelisë: "Shën Valentinin nesër do kremtoj, dhe ngrihem në mëngjes…". Asokohe, isha gati e marrosur pas Shekspirit, dhe gjithçka që zbuloja prej tij më dukej mrekulli.

Megjithatë, ndoshta për dashurinë më thjesht mund të këndohet…

Nuk është komode të flasësh për dashurinë, është më lehtë ndoshta t'i këndosh asaj. Kënga dhe meloditë janë më universale. Ndërsa, fjala dhe bisedat janë më private. Sigurisht, nuk ke dëshirë t'i ndash me këdo.

Rovena, cili do të ishte Shën Valentini ideal për ju?

Duket si klishe, por do doja të endesha me Florin rrugëve të Parisit dhe pastaj të drekoja në Costes, vendi magjik për këtë ditë.

Po flasim për dashurinë, Shën Valentinin, po Flori çfarë është për ju?

Flori për mua është mbështetje, por kryesorja është frymëzimi për të qenë e lumtur dhe e dashuruar.

Dashuria tjetër për ju, muzika. Ç'ndodh me të këto kohë?

Është një periudhë qetësie… Por, kjo do të më shërbejë për të reflektuar dhe për t'u bërë gati. Kam dy projekte për këngë të reja, së shpejti do të finalizohen dhe ato.
(vipat.info)

Rovena Dilo: Per Dashurine Nuk Mjafton Nje Dite Ne Kalendar