>
BIOSHQIP

Rovena Dilo Përsëri Në Gjyq Për Çështje Pronësie

31-08-2014
Këngëtarja e njohur, Rovena Dilo, do të përballet në gjyq javën tjetër, më datë 2 Shtator, për çështje pronësie me deputetin e Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe ish-deputetin demokrat, Ndriçim Babasi. Në gjyq palët do të përballen për përvetësimin e një sipërfaqeje toke në zonën e ish-Bllokut dhe fjala është për ambientin e bar “Rovena”. Në çështjen me nr.12155 të hapur më datë 26 qershor, këngëtarja Dilo është paditur nga Ndriçim Babasi e Tom Doshi.

Në objektin e padisë në fjalë që ndodhet e regjistruar në Gjykatën e Tiranës, kërkohet detyrimi i Rovena Dilos të lirojë e dorëzojë pronën, të konsideruar pasuri e paluajtshme me nr. 3/534. Prona, që njihet tashmë si “Bar Rovena”, ndodhet në zonën kadastrale 8270, me sipërfaqe 887 m2, dhe me adresë të pasurisë rruga “Vaso Pasha”, që sipas pretendimit të paditësve është zënë nga Rovena vite më parë pa tagër pronësie. Doshi dhe Babasi kërkojnë edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar si pasojë e mosposedimit dhe mopërdorimit të pronës nga ana e tyre, si dhe sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e aktivitetit bar-kafe në këtë truall, si dhe bllokimin e kryerjes se veprimeve arbitrare si ndërtim, apo çdo lloj aktiviteti tjetër mbi pronën e tyre.



Gjithashtu i kanë kërkuar si detyrim këngëtares të paguajë shpenzimet gjyqësore. Dy paditësit e kanë humbur një betejë me këngëtaren në Gjykatën e Tiranës, pas rrëzimit të padisë nga Gjykata, në fund në një seance në fund të korrikut. Në vendimit e Gjykatës thuhet se lidhur me kërkesën për pezullim gjykimi, Gjykata çmon se duhet të ketë kuadrin e plotë të provave për të vendosur lidhur me pezullimin e aktivitetit aktual, pasi janë ngritur dy pretendime. Duke pasur parasysh kalendarin dhe faktin se muaji gusht ishte pushim zyrtar, gjykata e kaloi çështjen në seancë gjyqësore, duke e caktuar seancën e ardhshme më 2 shtator, çështje që do të gjykohet nga Fatri Islamaj.
(Panorama Plus)

Rovena Dilo Përsëri Në Gjyq Për Çështje Pronësie