>
LETERSISHQIP

Kohë Pa Lavjerrës

Panik mbolli kjo kohë e pa kohë,
kutërbimi i së cilës udhëtoi kontinenteve
mbi shpinë dhimbjen e ëndrrës së thyer,
rrëzoi pranverën e doli mejdaneve…

Faniti muzgje me heshtje ngjethëse,
kurmet i shpoi me ushta malli,
pikëlloi, kreshta e zaje,
e brenda kyçi,
portrete t’qëndisur me vyrtyte
e ekselenca bajate…

Trafiku i pakorsi i mendimeve,
shfletonte një tjetër faqe…

Frika prekej me majë gishtërinjsh,
trishtimi pezull qëndronte në ajër,
grimca ndjesish pulsonin gjakut,
ngrohtësitë, shndërronin në akull
Fshehur arratisej mendimi…,
se ndoshta s’do të ketë më njerëz të përsosur…

Por…, autostradave të jetës,
do të ketë gjithnjë njerëz të veçantë,
me vështrime që i ngjajnë një përqafimi të gjatë
me fjalë që shungëllojnë emocione t’zhurmshme,
regëtima të bujshme,
që frikën dëbojnë prej zhguallit t’rutinës,
e agimeve,
çburgosin ëndrrat prej shtangies së natyrës…