>
LETERSISHQIP

Vaj Në Telajo

Symbyllur pikturoj portretin tënd nënë,
e hapat magji më kumbojnë në mëndje,
loti memec mbi buzë tek rrokulliset,
dhimbjen tek lidh me një fjongo shprese…

Shfaqet mbi telë imazhi yt prej ëndrre…

Si një Monna Lizë me syrin e zhveshur,
qepallat lodhur në të gjatë dimra,
pafundësi enigmash mbi buzën e heshtur…
Brymë përmbi flokë, brenda njëmijë ngjyra….

Frymon siluetë e imazhit tënd prej ëndrre…

Duart e arta bashkuar në lutje
tek pret alkimitë e filizave mbjellë,
honit, monopatit, përtej oqeanit,
vetëm atëherë buzëqeshja jote çel.

Avitet ëmbëlsisht, imazhi yt prej ëndrre…