>
LETERSISHQIP

Vobektësi

Fikte vështrimin trishtë,
e fytit lidhej një nyje e shpenguar
sa herë që e përditshmja uri zhurmone në mendje
e makthi i pyetjeve pa përgjigje,
shpërfytyronte qenien e saj prej thërrmije…

Një spirale drite ngjitej qiellit,
kateve ku shtroheshin sofra të pasura,
palës së shtatë…,
nga ku shfaqeshin njerëz të nginjur gjer në brinjë,
përthyer nga mbipesha
mbi pjata pështyrë…

Zbritjes, palëve më poshtë,
pakësohej begatia deri në zhdukje,
ndërgjegjet trazoheshin,
shqepeshin filiqet
e pusit të pashterë të Zotit,
rregullisht ujërat turbulloheshin.

Me gjithë fatin,
që çdo qenie ardhur në jetë,
me vete sillte dhe të tijën shtresë,
prapë zhytej vobektësisë jetë
lidhur në më të ngatërruarat vizatime,
kufijve të padukshëm mbijetesë.