>
LETERSISHQIP

Bamirësi

Në ankandin e radhës,
objekte të ftohta, për një çast të vetëm
merrnin vlera të jashtëzakonshme,
duke tërhequr vëmendjen e hipokrizive
që me xhepa kusarë e zemra të ngurta,
me çmime marramendëse,
blinin për një ngjarje bamirësie…

Sytë fiken
vështrimit të trishtë pas hekurave
të një burgu të lagësht
e shpresa çel vetëm një syth,
kur udha e kujtimeve,
dëshirën ndez për lirinë e largët,
mendimit..,
se jasht kangjellave,
njerëzit janë të lumtur…

Mëngjesi gatuante maskën e re,
atë që sot do të vesh mbi fytyrë
të fsheh rrudhën që nata shtoi,
të djeshmen që thelloi,
në këtë vrap atomesh,
vitet ku ballin shkelin me zinxhirë …

Fatale komedia,
ku si protagonistë,
recitojmë përditë duke gënjyer veten…