>
BIOSHQIP

Sardi: “Do Të Vazhdoj Me Projekte Të Reja Në Muzikë”

21-08-2015
Sardi Strugaj, u bë i njohur falë talent show "X Factor Albania 2", e që më pas vazhdoi karrierën si solo-këngëar. Ai ka publikuar disa këngë deri tani ku më e pëlqyera cilësohet "Më sheh nga lart", e ndërsa poashtu kënga tjetër e tij "Sa larg", me të cilën u prezantua në Kënga Magjike. Në një intervistë për teksteshqip.com ai ka dhënë disa detaje për projektet e tij të fundit dhe planet që ka për këngët e rradhës...

TeksteShqip: Sardi, keni publikuar në fillim të kësaj vere këngën tuaj më të fundit "Tripa me qika". Na trego pak si ka ecur projekti?

Sardi: Në të vërtetë kam pritur pak më shumë nga kënga "Tripa me qika", kur e lançova në fillim, por sido qoftë jam i kënaqur pasi është pëlqyer dhe kam marrë shumë komplimente për këngën! Në Shqipëri ka qenë një "ngërrç" me tekstin pasi është në theksin kosovar dhe shumë fjalë nuk janë kuptuar. Por sido qoftë jam i lumtur që kanë vlerësuar këngën dhe muzikën, e ndërsa për tekstin më kanë pyetur shumë dhe vazhdojnë më pyesin!



TeksteShqip: Si një artist i ri, kënga juaj ka arritur 130.000 klikime në youtube. A jeni i kënaqur me suksesin e saj?

Sardi: Siç e thashë prisja më shumë qoftë edhe nga klikimet, por që në fillim të pranverës u duk që do të kishte konkurencë shumë të madhe në treg që nga këngët që u bënë apo që nga angazhimi i artistëve nga më të vjetrit deri tek më të rinjtë në treg, që sollën këngët e tyre! Sigurisht kjo bën që shumë këngë të humbasin dhe mos të dëgjohen. Por përsëri edhe klikimet që kam marrë nuk janë pak duke qenë se kënga nuk ka shumë që ka dalë, prandaj nuk them se jam i zhgënjyer por përkundrazi jam i kënaqur deri në këtë pikë.

TeksteShqip: Po ndonjë projekt të ri do të kemi nga Sardi këtë verë?

Sardi: Gjatë gjithë kësaj vere jam marrë me një projekt që nuk ka mbaruar ende. Bëhet fjalë për një këngë pop rock, që do të dalë shumë shpejt në vjeshtë. Në atë këngë do të jem vetvetja ndaj kam besim se do të pëlqehet dhe do të ecë mirë...më shumë detaje nuk them dot!



TeksteShqip: Po me koncerte a jeni angazhuar gjatë verës?

Sardi: Po kam pasur koncerte, përgjithësisht jasht Tiranës por nuk jam fokusuar shumë te koncertet pasi kam pasur një verë shumë aktive dhe të zënë për sa i përket projekteve që po përgatis për të ardhmen.

TeksteShqip: "Më shikon nga lart" është një tjetër këngë e jotja e suksesshme. Na fol pak për suksesin e saj?

Sardi: "Më shikon nga lart" është kënga e parë e imja dhe të them të drejtën është kënga që më bën krenar sa herë e dëgjoj apo sa herë e këndoj. Sa herë jam në koncerte shof që kur këndoj këtë këngë, e këndojnë edhe të tjerët me mua, i gjithë publiku. Dhe shpesh herë shof që përloten dhe emocionohen. Për një artist s'ka ndjenjë më të bukur se kjo.



TeksteShqip: Jetoni në Tiranë? Merreni me ndonjë gjë tjetër përveq muzikës?

Sardi: Po jetoj në Tiranë dhe e kam ditën e mbushur full, pasi punoj në një kompani, dhe studioj për informatikë ekonomike. Gjithashtu merrem edhe me filozofi dhe ndonjëherë kur më del koha dal me miqtë.

TeksteShqip: Ç'mund të na thuash për jetën tënde private?

Sardi: (Qesh), gjithmonë mundohem ta shmang këtë pyetjen! Mund të them që pas një periudhe të lumtur, tani e kam pak të grricur zemrën!



TeksteShqip: Keni marrë pjesë para 2 viteve tek "Kënga Magjike". A do të marrësh pjesë sërish në festivale?

Sardi: Po kam marrë pjesë me një këngë baladë që të them të drejtën u prit shumë më mirë seç unë dhe producentet e prisnim. Festivalet më pëlqejnë dhe kanë një tjetër lloj emocioni. Do të marrë pjesë shumë shpejt në një festival por s'dua ta them se ku dhe të humbas kureshtjen.

TeksteShqip: Sardi, faleminderit që ishe me ne në këtë intervistë. Diçka për fund....

Sardi: Ju falenderoj për intervistën dhe mos harroni që shumë shpejt do të kthehem me projekte të reja!
(B.A/Teksteshqip.Com)

Sardi: “Do Të Vazhdoj Me Projekte Të Reja Në Muzikë”