>
LETERSISHQIP

Lamtumirë Marienhof

Mirupafshim, mik, mirupafshim,
Ti je në zemrën time përgjitmonë
Ndarja jonë e destinuar
Një takim të ardhmë na premton.

Mirupafshim mik, pa e fjalë e gjeste,
Pa vetulla të ngrysura, pa trishtim
Të vdesësh nuk është e re në jetë,
Edhe të jetosh s’është e re pa dyshim.

Rrëfimi i huliganit

Të këndojnë, jo të gjithë janë të zotë
Dhe jo të gjithve iu është dhënë të bien,
Drejt këmbëve të tjerëve si mollë në tokë

Është ky rrëfimi më i madh,
Që kurrë s’jua beson një rrugaç.

Unë e mbaj kokën të pakrehur me dëshirën time Feneri me vajguri mbi shpatullat e mia:
më pëlqen që në errësirë të përndris
Lakuriqësinë vjeshtë të shpirtrave tuaj
Dhe më pëlqen të fluturojnë kundër meje
Gurë sharjesh,
Stuhi breshëri në erë
Unë vetëm shtrëngoj më fort me duar
Buklat e ondeve të flokëve të verdhë.

Është mire atëherë të kujtoj,
Mështeknën e tharë dhe pellgun mes barit,
Të sjell ndërmend se diku
Jetojnë babai e nëna që s’pyesin
Për poezitë e mia, edhe pse për ta jam i shtrenjtë
Si fusha dhe mishi dhe si ai shiu fin, i imët
Që në pranverë e bën të butë grurin e blertë;
Për çdo britmë tuajën ndaj meje,
Me sfurqe do t’ju vrisnin ata prindër të sertë!

Të varfrit, të varfrit fshatarët e mi!
Sigurisht s’jeni bërë të bukur
Trembeni nga Zoti dhe thellësitë e ligatave;
Veç ta kuptoni se
Biri juaj në Rusi
Është poeti më i madhi i poetëve?
A nuk ju bëhej zemra akull për atë
Zbathur pellgjeve të vjeshtës futur?
Me cilindër në kokë endet ai tani
Duke mbath këpucë xixë me lustër.

Por veton në të primitivja e rëndësishme,
E çamarrokut të trashë fshatar;
Çdo lopë me shenjën e kasapit,
Mbi tabelat e kasaphanës
I përkulet që nga larg.
Duke takuar në sheh karrocierët anës,
Kujton erën e plehut nëpër fusha,
I gatshëm si bishtin e fustani të nuses
Të mbajë bishtin e mushkës.

E dua atdheun. E dua shumë atdheun,
Edhe me trishtimin e tij si të shelgut të ndryshkur.
Më janë të këndshme hungërimat e pista
të derrave,
Dhe në qetësinë e natës kuakja argjendore e bretkosave.
Butësisht i sëmurë prej kujtimeve fëminore,
Ëndërroj mjegullën dhe lagështinë e mbrëmjes së prillit,
Si të ngrohej në zjarrin e agut të agimit, rri në bisht panja jonë.
Ah, duke hipur në degët e saj,
Sa vezë kam vjedhur nga foletë e sorrave vonë!
A është përherë njëlloj me majën e blertë?
E ka të fortë si dikur koren e vet?

Po ti,
I dashur qen besnik pullali!
Kujitës e të verbër të kanë bërë vitet
Dhe duke u zvarritur shkon nëpër oborr
bishtvarur,
Me nuhatje harraqe portash e stallash.
Si një kthim mirënjohës ajo çapkënëri,
Kur copën e bukës, vjedhur nënës,
E hanim me radhë ne të dy,
Pa krupë nga njeri-tjetri, pa neveri.

Kam mbetur i njëjti me zemër!
Lulëzojnë sytë në fytyrë,
Si zambakët midis thekrës si lumë;
Rrogoza të artë vargjesh duke shpështjellur.
Do të doja t’u flisja juve të shtrenjtëve unë.
Natën e mirë! natën e mirë ju të gjithëve!
Kosa e agut tashmë ka nis të fishkëllejë
Midis barit në mugëtirë…
Sonte dua të përmjerr hënën
Nga dritarja ime, pa gdhirë!.

Dritë e kaltër, dritë kaq e kaltër!
Në kaq kaltërsi, edhe të vdesësh ia vlen.
Dhe s’e çaj kokën nëse dukem cinik
Me fenerin bashkangjitur në prapanicë.
Pegazi im i vjetër, i mirë dhe i rraskapitur,
Më duhet, pikërisht, troku yt?
Unë, mjeshtër i egër erdha,
Të celebroj minjtë dhe të këndoj siç di.
Gushti i kokës sime derdhet si verë
Nga flokët në stuhi.

Kam dëshirë të jem një velë e verdhë,
drejt vendit ku me det shkojmë përherë.