>
BIOSHQIP

Shaqir Cërvadiku, Dhembja Që Transmetohet Në Art

30-05-2013
“Kënga e pajtimit të gjaqeve”, “Moj e mira bregut t’Cemit”, “S’kam kujtue se m’gjen pranvera”, “Jam mërzitë”, “Shqipërinë e dua”, ”Dasma e Kosovës”, ”More djalë prej diaspore”, ”Bac u kry, u ba Kosova”, janë vetëm disa nga këngët që prekin çdo zemër, sado e ngurtë qoftë ajo. Tematika e këngëve të Shaqir Cërvadikut është shumë e larmishme, duke na nxjerrë në pah shpirtin krijues, duke na krijuar një atmosferë gëzimi e hareje, prekjeje, lotimi, përmallimi e mallëngjimi, dashurie, shprese, gjallërie e optimizmi.

Pa dyshim, jeni njëri ndër emrat e njohur në mesin e këngëtarëve të Kosovës. Aktualisht jetoni në Bruksel. Cilat ishin arsyet që Ju shtynë ta braktisnit Kosovën?
E kam cekur edhe në intervistat e tjera, arsyeja ime e parë që kam dalë jashtë ka qenë shërimi i bashkëshortes, e cila vuante nga kanceri. Ajo deri vitin e kaluar, për 11 vjet, luftoi me këtë sëmundje. Dhe jam munduar të kujdesem për të aq sa ka qenë e mundur.
Nga ana artistike i konsideroj këto vite të humbura, sepse ishin vite larg Kosovës, por shpirtërisht isha këtu. Jam munduar që së paku të jem i lidhur më Kosovën nëpërmjet albumeve dhe këngëve. Sigurisht, deri tani i kam 20 albume personale dhe 4 albume te përbashkëta me kolegët, ndërsa 18 prej tyre në vitet e pasluftës, derisa isha në Bruksel. Kështu, doja ta kompensoja mungesën fizike me këngë dhe me albume të reja.Shaqë, çka të themi, e keni pasur vështirë në të dyja momentet: edhe kur e keni përcjellë miken për në botën e amshueshme, por, sigurisht, edhe kur ia keni kushtuar elegjinë, do të thoshim emblematike “Këngën për bashkëshorten”, që është një lament për të gjitha dhembjet?
E kisha një obligim moral, të paktën, të bëja diçka të vogël për njeriun më të shtrenjtë të jetës, me të cilën isha njohur edhe para martesës. Për 25 vjet e 25 ditë, kemi qenë një shpirt, një zemër e një trup bashkë. Pas humbjes së saj, mblodha forcë që t’i kushtoj një këngë dhe për këtë këngë u konsultova me tekstshkrues shumë të mirë, Faruk Tasholli. I kisha shkruar 15-16 strofa dhe një shkrim 8 faqesh për bashkëshorten dhe, pastaj, ia dërgova atij. Për çdo varg jemi konsultuar. Më vonë, për të mos u rënduar shumë teksti, i kemi hequr disa vargje. Melodinë e punova unë, ndërsa orkestrimin e kanë bërë Burim Krasniqi dhe Shpëtim Gashi. Kjo është një elegji personale, por nuk kam besuar që do të pritet te populli kaq mirë. T’jua them të drejtën, e kam ndier edhe si një lehtësim shpirtëror. Një borxh të vogël ia kam dhënë, asaj, që e kam pasur njeriun më të shtrenjtë.

Shpresojmë se do ta mundni dhembjen, lëngatën, për të na dhënë edhe më tutje këngë të bukura dhe me përmbajtje të hareshme. Duke mos dashur që t’jua trazojmë ndjenjat dhe emocionet, t’i kthehemi pak karrierës suaj. Si u bë këngëtar Shaqir Cërvadiku?
Këngëtarë i kisha gjyshin dhe babën, kështu që shkova rrugës së tyre, e kisha rrugën e trasuar për të arritur deri këtu. Rrjedh nga një familje, ku prej rrethit të ngushtë familjar 5-6 veta kanë kënduar: babagjyshi, babai, gjyshi, axhallarët, kushërinjtë, por këngën e kanë lënë për shkaqe ekonomike.
Kur vinte baba nga dasmat, i merrja instrumentet që ishin ende të akorduara, dilja në një dhomë tjetër siç mundja dhe derisa i çakordoja, u bija, derisa u mësova në çifteli, sharki, pastaj fillova edhe te oda jonë, e cila brenda vitit, së paku, kishte një mijë mysafirë. Çdo natë, nëpërmjet këngës, depërtoja në odën e burrave dhe këndoja nga një këngë, ose dy, sa për të hyrë në mesin e odës, pastaj fillova t’u bashkohem babës nëpër dasma, axhës, ndërsa karrierën time kështu, skenike, e fillova në vitin 1977. Atëherë mbahej revista e folklorit burimor në Drenas (ish-Gllogovc). Aty fillova me këtë shoqërinë kulturo-artistike “Shotë Galica” me cilën arrita afirmimin e madh.

Keni pasur bashkëpunim me ndonjë rapsod?
Meqenëse isha djalë rapsodi, kam pasur fatin të njihem me rapsodët më të njohur të asaj kohe, si Sali e Feriz Krasniqi, Tahir Drenicën, Bijtë e Sefës, pastaj Qamilin e Vogël, Hashim Shalën. Këngët që i regjistronin në radio, vinin t’i ushtronin herë në odën tonë, e herë në atë Tahirit. Unë e zija një qoshe dhe i dëgjoja...Aty më lindi dëshira, ai frymëzimi, ata tinguj magjikë më detyruan që të jem një pjesë e folklorit tonë. Më kanë pëlqye edhe rapsodët e mëdhenj të asaj kohe Dervish Shaqa, Augustin Ukaj, Bajrush Doda, Sali Mani, Fran Vorfi, Qerim Sula, etj. Por, në atë kohë dëgjonim tinëz muzikën popullore që kultivohej në Shqipëri. Isha i pasionuar me këngëtarët e mëdhenj Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Hafsa Zyberi, Feride Kurti, Mentor Xhemali, Fitnet Rexha, Naile Hoxha, etj.

U keni kënduar edhe luftëtarëve të lirisë, pastaj pavarësisë. Mendoni se artisti, këngëtari, ua ka borxh trimave së paku këngën dhe himnizimin?
Në të gjitha albumet kam pasur këngë për heronj e dëshmorë, dhe me këngë sado pak jemi munduar t’i përkujtojmë ata dhe heroizmin e tyre për atdhe. Ndërsa dy albume i kam vetëm me këngë dëshmorësh te luftës së fundit. Ato këngë i kam punuar, të gjitha, pa asnjë kompensim. E kam kaluar kufirin me ushtarë, kam parë me sy sakrificën që ata kanë bërë. Prandaj, dëshmorët do të jenë përherë në albumet e mia. Kënga është më e pakta që mund të bëj për ata që me gjakun e tyre na e sollën lirinë

Jeni i shoqëruar, i qetë, por shpërthyes, sidomos në këngë. A do të thotë kjo se nëpërmjet këngës keni gjetur lumturinë, miqësinë, vuajtjen dhe krenarinë?
Shpesh e them se këngë është vetë jeta. I falënderohem përjetësisht Zotit që ma ka dhënë zërin dhe që kam pasur mundësi të merrem me këngë, të shëtis botën, të kem miq, respektin, të kem nderin... Kënga dhe familja ime e miqtë e shumtë janë pasuria më e madhe.

A keni pasur çaste të këndshme, por edhe të rënda…nga kënga?
Nga kënga kam pasur qaste te këndshme në jetë. Kënga për mua ishte vet jeta .Nuk kisha mundur ta mendoja jetën pa këngë. Por, është dashur shumë punë mund e sakrificë për të arritur këtu ku jam. Sikur edhe kolegët tjerë kemi patur momente edhe raste kur jemi zhgënjyer me ndonjë producent të albumeve, por edhe të televizioneve,sepse shpesh ndodh që nuk të vlerësojnë aq sa e meritojmë por kënga e bën rrugëtimin e vet. Fatmirësisht gjithmonë ka pasë edhe producent e njerëz që na kanë përkrahur dhe na kanë vlerësuar drejt. Tash interneti e Youtube i ka qelë rrugët që këngët te arrijnë në gjithë botën ku ka shqiptarë.

Ku e gjeni forcën për të qenë kaq vital në skenë dhe në jetë?
Kënga është pasion, ushqim shpirtëror. Punoj vazhdimisht, sa herë që më lind një frymëzim…Sa jeni fanatik ndaj zhanrit që e kultivoni?
Jam aq fanatik, saqë mundohem gjithherë që në çdo këngë ta fus edhe çiftelinë. Jam shumë i lidhur për të, sepse çiftelia i ka të gjitha notat që i ka edhe pianoja. Mundësitë janë të mëdha që çiftelia edhe në orkestër simfonike të të përcjellë. Ne festivalin e Këngës për Flamur e këndova këngën “Djemt e Isës” e krahas orkestrës simfonike ishte edhe Fatmir Makolli me çifteli e Mentor Xhekaj me tupan.
Mundohem që kënga jo vetëm ta ketë brumin shqip, por edhe orkestrimi të jetë në atë frymë.

A mendoni se po dëmtohet folklori e muzika popullore nga disa që po e përziejnë me instrumente të tjera, e gjithë kjo në emër të modernitetit?
Unë kam filluar si rapsod, por ngadalë kam kaluar në muzikën popullore duke ruajtur dhe elemente te folklorit .Mendoj se muzika, kënga, duhet të reformohet, ajo duhet të ecë përpara dhe t’i përshtatet kohës që jetojmë. Këtu kanë hyrë edhe instrumente të tjera, por është me rëndësi që tema dhe kompozimi të jenë me taban, shqip. Pasurimi me instrumente të tjera popullore nuk e dëmton, përkundrazi. Me rëndësi është linja muzikore, orkestrimi e interpretimi të jetë shqip.

Sa bëhet për muzikën popullore, sidomos nga të rinjtë?
Vetë fjalë muzikë popullore thotë shumë se kjo lloj muzike do të këndohet e dëgjohet gjithmonë edhe nga të rinjtë. T’jua them të drejtën, nganjëherë nëpër dasma e aplikoj sofrën me 3-4 këngë folklorike, por me orkestër popullore. Është shumë interesant t’i shohësh të rinjtë ulur këmbëkryq. Aty atmosferën më të mirë e bëjnë ata. Është diçka që duan ta ripërtërijnë, është diçka shpirtërore që i tërheq.

A kemi folklor të mirë në Kosovë?
Sigurisht, kemi, kemi rapsodë të mirë, por, mjerisht, rapsodët, legjendat e folklorit, të cilët edhe në festivale botërore kanë treguar se janë folkloristë të mëdhenj, nuk janë gjallë. Për shembull, Sali e Feriz Krasniqi. Ata në Langolen (Angli), në Festivalin botëror të folklorit, e kanë zënë vendin e parë. Kam pasur rast të dëgjoj edhe muzikën dhe folklorin e kombeve të tjera. Ata kanë një ritëm, ndërsa folklori shqiptar i ka të gjitha ritmet, madje ka ritme që nuk ekzistojnë te popujt e tjerë.

Ku është muzika jonë sot dhe a janë këngëtarët përgjegjës për punën që bëjnë?
Përgjegjësia e këngëtarëve është e madhe, sepse ata i këndojnë publikut. Qoftë për të mirë, o për të keq, ajo ndikon. Mjerisht, ka këngëtarë që për përfitime materiale kalojnë edhe andej rrugës nga s’duhet shkuar. Secila muzikë e ka vendin e vet, por nuk bën të bastardohen gjërat, të çoroditen. Fatmirësisht, një pjesë e këngëtarëve e ka ruajtur dhe e mban gjallë muzikën. Ata këngëtarë tash e mbi 20-30 vjet janë në skenë.

Si qëndron në realitet ky shqetësim?
Kjo pjesë e publikut e di cilëve këngëtarë t’u drejtohen për këngë të tilla, ata nga unë këtë nuk e kërkojnë.

Sa transmetohen klipet tuaja, qoftë nga televizioni publik, por edhe nga mediumet e tjera?
Zhanrit popullor nuk i jepet hapësirë sa duhet, përpos disa televizione të Shqipërisë që emetojnë më shumë se këto në Kosovë. Mund të them se KTV-ja e diskriminon muzikën popullore,Kurse RTK e RTV 21 i japin hapësirë më shumë. Poashtu tash RTK-ja ka “Rrënjët tona”, që është një emision shumë i qëlluar për ruajtjen dhe trajtimin e vlerave kombëtare të muzikës, artit dhe kulturës. Mediet e disa TV në përgjithësi më tepër u japin rëndësi klipeve dhe temave që janë të huazuara ose të përkthyera, që në televizionet perëndimore emetohen vetëm në orë ose kanale të veçanta.Çfarë po punon aktualisht Shaqa, cili do të jetë projekti juaj i ardhshëm?
Unë tash në prill isha në Kosovë dhe realizova albumin tim të ri që pritet të dalë në qershor nga produksioni “Vizioni Libonia”. Albumi do të ketë 8 këngë të reja. Po ashtu kam përfunduar videoklipin e këngës “Hymni i Dashurisë” e cila është edituar në Youtube dhe e kam dërguar edhe në televizione për transmetim. Kjo këngë do te jetë poashtu pjesë e albumit.

A do t'ju trashëgojë dikush nga fëmijët në rrugën tuaj dhe a do t'ia kishit preferuar ndonjërit “zanatin” tuaj?
Vajza e madhe filloi me muzikë, pastaj hoqi dorë, te djali (Valtoni) shoh një talent të madh, por nuk do t’i imponohem. Ai ka filluar të bëjë hapat e parë në një zhanër që pëlqehet nga të rinjtë.

Në rrugëtimin artistik është normale që dikush ta bëjë bilancin e vet. Në këtë retrospektivë që i bëni aktivitetit tuaj, a ju ka mbetur diçka peng nga e gjithë jeta juaj?
Nuk më ka mbetur ndonjë merak, për faktin se kam përfituar shumë nga kënga, jo në aspektin material, por në atë shpirtëror, dhe nuk do të kisha ndryshuar kurrgjë, edhe pse dëshirat kurrë s’mbarojnë. Jam në vlugun e punëve, ndërsa bilancin do ta bëj vetëm atëherë kur të më lërë zëri...

Cili do të ishte mesazhi apo shqetësimi juaj si artist?
Të rinjtë ta kultivojnë muzikën e mirëfilltë, mund ta kenë ndihmën e medieve, sidomos të televizioneve, të cilat duhet t’i japin hapësirë më të madhe muzikës me vlera dhe talentëve të rinj.

Diçka për fund?
Për fund? Edhe do kohë do të jem në Belgjikë, për shkak të shkollimit të fëmijëve. Vajza e parë i ka përfunduar studimet, ka diplomuar; vajza e dytë këtë vit i përfundon studimet, ndërsa djali përfundon shkollën e mesme. Do të sakrifikoj edhe pak kohë për fëmijët. Por, unë udhëtoj shpesh për në Kosovë. Edhe pse jetoj atje, tërë ditën jam i lidhur me Kosovën, i kemi programet tona televizive, internetin, vetëm kur dal jashtë banesës, e di se jam diku tjetër. Ambienti familjar është i lidhur me vendlindjen.
I përshëndes gjithë shqiptarët kudo që janë anekënd botës, të jenë krenar për atdheun e identitetin e tyre dhe ta ruajnë gjuhën e traditën shqiptare.
(Telegrafi)

Shaqir Cërvadiku, Dhembja Që Transmetohet Në Art