>
LETERSISHQIP

E Diela Është E Gjatë, Drita Ka Dhënë Dorëheqje

E diela është e gjatë,
drita ka dhënë dorëheqje,
e mbrëmja, me duart e muzgut,
mbathjet heq.
Në kafe colosseum,
fundin e fillimit e përjeton një këngë.
Një tjetër këngë e përjeton fillimin e fundit.
Tri karrike
zëshëm gjykojnë njëra tjetrën,
duke u shërbyer saktë
me gjuhën e vjeshtës.
Maskën e buzëqeshjes e heq një abazhur.
Një çast eterik,
grimin e zi vë nën rrathët e syve.
Dy sekonda, armiqësisht shikohen sy më sy,
dhe shpatat e çelikta mprehin,
për dyluftim.
Zverdhet
një pikturë në mur
e cigaren përthith,
si unë veten time!