>
LETERSISHQIP

Ishte Veç Një Ëndërr

Dje në mesnatë, një ëndërr më zgjoi
M'u duk sikur në vizitë kishe ardhë
Dola me vrap të të përqafoj
Bërtita:"Nëna ime, o zemërbardhë!"

Të putha faqet dhe të bukurit sy
E s'ngopesha dot me ato përqafime
U ndjeva si dikur, kur isha fëmijë
Kur ti më vije në gjumë me ledhatime.

Për pak humba, nën krahët e tua
Sytë tanë, u mbushën me lot
Më në fund dita buzëqeshi për mua
Sa e kisha pritur një takim si sot.

A ç'zhgënjim që ishte e sa inat,
Kur më doli gjumi, e pashë qiellin gri.
Ora ishte diku pas mesnatë,
Ishte vetëm ëndërr, Nënë aty nuk ishe ti.

Një ëndërr, që m'i ngriti emocionet valë,
Dhe gjer në palcë e kam ndjerë.
Kur t'i lexosh, Nënë ti këto fjalë,
Dije që kjo ëndërr dimrin ma bëri pranverë.