>
BIOSHQIP

Sheila Haxhiraj: Si E Menaxhoj Xhelozinë E Femrave

26-08-2012
Është ikona e re që hyn në tregun e muzikës në këtë sezon të ri dhe pohon se i pëlqen rryma R&B. Sheila Haxhiraj zbulon strategjitë e saj si këngëtare profesioniste dhe e komercit për të dominuar në botën e egër të muzikës. Klipi i ri që do të xhirohet në Europë dhe surprizat që ajo ka përgatitur për fansat e saj, i tregon në këtë intervistë të parë, pasi ka fituar kupën e "X Factor".

Këto janë pushimet e para pas famës që more në "X Factor", çfarë po shijon ndryshe?
Unë jam fanse e shoqërisë, më pëlqen ta kaloj pjesën më të madhe të pushimeve me shoqërinë, më pëlqen plazhi, të udhëtoj, të vizitoj vende të ndryshme dhe këtë gjë e kam realizuar këtë verë. Por gjithashtu nuk lë mbrapa dhe familjen, kam kaluar një pjesë të pushimeve me ta në bregdetin e Vlorës, kam në plan të kaloj dhe disa ditë pushime në shtetin helen, në Athinë.
Je 18 vjeç dhe sapo nis një karrierë në muzikë. Çfarë përfiton nga kupa e "X Factor" pas nënshkrimit të kontratës me producentët "Berman Brothers"?
Unë shpresoj që pa dyshim do të jetë një bashkëpunim i suksesshëm. Tashmë ky bashkëpunim sapo ka filluar, pasi me producentët BB është realizuar incizimi i një kënge dhe masterizimi i saj po bëhet në New Jork, dhe shpresoj që nga fundi i shtatorit të realizohet dhe klipi që mund të xhirohet në Europë. Të menaxhohesh nga një staf i tillë është vërtet vlerësim, po njëkohësisht një punë impenjative nga ana ime, ndaj mendoj se suksesi do të jetë i garantuar.
Në daljen tënde të parë pas garës do të shfaqesh për herë të parë më shumë sensuale apo ekstravagante?
Tani jam duke punuar në disa drejtime dhe ende nuk di cila do të jetë e përfunduar më parë. Synoj të shfaqem ndryshe nga Sheila e vërtetë, kështu që mendoj ta lë surprizë daljen time të parë.
Ke pohuar se të pëlqejnë baladat, në vetvete je natyrë melankolike apo tip i gëzuar?
Gjatë shfaqjes sime në "X Factor" kam eksperimentuar rryma të ndryshme muzikore pasi pëlqej të sfidoj veten, por natyra ime është shpërthyese, e gëzueshme, njëkohësisht dhe sensuale. Më pëlqen rryma R&B.
Pas spektaklit cilat janë angazhimet e tua, a ka ndryshuar jeta jote prej vajzës së zakonshme, tashmë një person VIP që ndalon shpesh për të dhënë autografe?
Pa dyshim që jeta ime pas spektaklit ka ndryshuar, tanimë angazhimet e mia nuk janë vetëm të fokusuara te mësimet "si dikur", por më duhet të menaxhoj veten e të punoj shumë me këngën e të kujdesem më shumë për veten. Frekuentoj palestrën pasi tani le të themi jam kthyer në një personazh publik, ku njerëzit më njohin, flasin për mua, më takojnë, më komplimentojnë dhe kjo më bën të ndihem mirë.
Gjatë garës në "X Factor" edhe je sulmuar nga fansat në rrjete të ndryshme sociale. Je thyer në ndonjë moment, duke menduar se bota e muzikës është e egër për ty?
Mendoj se kënga si një pjesë e artit është diçka subjektive. Nga dikush pëlqehet nga të tjerë jo, e kjo gjë me duket më se normale. Natyrisht që ka pasur dhe momente që jam ndier keq nga komente të tepruara negative, por gjithsesi nuk u kam kushtuar shumë rëndësi e jam përpjekur që me punën time e të mentores Juliana Pasha t'u tregoja dhe kësaj pjese fansash që kisha vlera vokale dhe interpretative dhe, atë çka arrita, e meritoja. Këtë e kam vërtetuar gjatë tureve verore që kemi pasur me finalistët në rrethe të ndryshme, ku kam pasur dashurinë dhe përkrahjen e njerëzve, gjë që më ka bërë të ndihem e realizuar dhe e vlerësuar dhe të kuptoj se njerëzit më duan.
E tashmë që ke hyrë në muzikë, ndien se ka në këtë botë xhelozi femërore, si do mundësh ta menaxhosh këtë fakt?
Unë mendoj se ku ka arritje ka dhe xhelozi, pasi qenia njerëzore është e tillë dhe mendoj se te femrat kjo gjë është më e theksuar. Gjithsesi ky fakt nuk më tremb, përpiqem të punoj shumë në të gjitha drejtimet, në çdo detaj për të qenë e suksesshme dhe për t'u ndier e realizuar.
(KLOTILDA HARKA PANORAMAPLUS)

Sheila Haxhiraj: Si E Menaxhoj Xhelozinë E Femrave