>
BIOSHQIP

Sheila: “Më Kanë Quajtur Pornostare”

12-11-2014
Këngëtarja Sheila Haxhiraj është komentuar gjithnjë në media për pamjen sensuale. Ditët e fundit një shkrim në lidhje me zhveshjen e saj e ka irrituar jo pak brunen simpatike. Në intervistën e dhënë për "VIP Pages", Sheila rrëfen më tepër rreth të vërtetës për lajmin që qarkulloi online.
Nga ana tjetër, këngëtarja flet dhe për pasionin që ka për aktrimin. "Aktrimi është një pasion i imi, por nuk do të hiqja kurrë dorë nga muzika", shprehet këngëtarja. Nuk është kundra operacioneve plastike, por nuk do të bënte kurrë një të tillë, pasi ndihet komode me veten. Për të gjithë adhuruesit, Sheila aktualisht është singëll dhe prioritet për të mbetet karriera si këngëtare.
Shumë kritika ditët e fundit në rrjetet sociale mbi shkrimet për ju, çfarë e ka irrituar Sheilën?
Unë kërkoj vazhdimisht të nxjerr në pah fuqinë time vokale dhe talentin si artiste. Kritikat e fundit nuk kanë bërë gjë tjetër, përveçse kanë përbaltur imazhin tim dhe kjo është e padrejtë. I referohem këtu, një shkrimi të publikuar ditë më parë në portalin online Indeks, ku ndër të tjera është shkruar se nga "X Faxtor" Sheila në "Chanel x", me pak fjalë më krahasojnë me një pornostare. Ishte një shkrim joprofesional dhe i kalonte kufijtë e kritikës, ishte dashakeq në çdo aspekt.

Përse zgjodhët të reagonit përmes rrjetit social "Facebook"?
Zgjodha të reagoj përmes "Facebook"-ut, duke ditur që është rrjeti social më i frekuentuar dhe mesazhi im do të përcillej sa më mirë. Nuk i njoh autorët e shkrimit, por nëse arrij t'i gjej, të jenë të sigurt që do të jenë vetë ata që do të luajnë në një film porno. Foto të tilla sot ka kushdo, madje dhe dikush që nuk është në botën e artit, nuk lënë vend për të tillë shkrim.

Sa ju prekin shkrimet dashakeqe në emrin tuaj?
Jam e bindur që çdo artist do të ketë dhe kritika dhe komente pozitive, por rastet që më ofendojnë dhe dëmtojnë imazhin tim absolutisht nuk i toleroj. Kam menduar t'u drejtohem autoriteteve përkatëse, por çdo gjë do të shihet në vazhdim.

A mendoni se në fotot në fjalë jeni shfaqur mjaftueshëm ekstravagante sa për të lënë shkak për të tilla shkrime?
Nuk mendoj që fotot meritojnë kritika të tilla. Për mendimin tim janë foto sensuale, por unë nuk do t'ia lejoja vetes kurrë ekzagjerime.
Si kanë reaguar familjarët tuaj kur kanë lexuar lajmet që kanë qarkulluar rreth jush?
Familja ime i priti me mjaft irritim dhe besoj se me të drejtë, ashtu siç do t'i ndodhte çdokujt, të lexosh fjalë të tilla. Nuk është etike.

A ju kanë bërë të tilla lajme që të hiqni dorë nga fotot sensuale?
Lajme të tilla nuk ndikojnë fare, përsa i përket kësaj pjese. Unë e di se çfarë pozicioni kam si artiste dhe se çfarë dua. Kjo më mjafton të eci krenare përpara.
Njihni kolege tuajat, të cilat janë prekur nga të tilla shkrime, ju vetë keni lexuar për personazhe të tjerë lajme të kësaj natyre?
Njoh mjaft kolege që janë prekur nga persona të papërgjegjshëm dhe shpeshherë kanë dalë dhe jashtë natyrës së tyre. Për këtë më vjen shumë keq, askush nuk ka të drejtë të prishë imazhin e dikujt dhe të kalojë në ofendime.
Ju pëlqen që përveçse një këngëtare e mirë, të identifikoheni dhe si një femër seksi, a e keni ju këtë si qëllim?
Për mua në radhë të parë është e rëndësishme të vlerësohem si këngëtare, por gjithashtu dhe të kujdesem në maksimum për imazhin tim.
A ia ka dalë Sheila që të transformohet nga një vajzë e ëmbël, në një zonjushë sensuale?
Sheila nuk ka ndryshuar, përveçse është rritur profesionalisht. Nuk do të më pëlqenin të tilla etiketime.
Keni provuar dhe aktrimin, si është për ju të aktrosh?

Kam dashur ta shtyj veten në limite dhe të provoj dhe aktrimin. Është padyshim një eksperiencë shumë e bukur dhe do ta provoja përsëri nëse do të më jepej mundësia.

E keni menduar ndonjëherë seriozisht aktrimin, do të hiqnit dorë nga kënga për të qenë pjesë e filmave?
Nga muzika nuk do të hiqja dorë kurrë, unë jetoj me të. Padyshim që do të provoja veten dhe në fusha të tjera të artit, po kurrë nuk do të hiqja dorë nga muzika.
Si ishte të aktroje në 'Tirana 14', përballë aq shumë emrave të njohur, çfarë kishte të përbashkët roli me Sheilën?
Ishte realisht një eksperiencë e bukur për mua dhe më vjen mirë që kam qenë pranë atyre personazheve mjaft të njohur. Roli që pata në atë film nuk ka lidhje fare me Sheilën.

Shfaqeni gjithnjë në formë të përkryer fizike, cili është sekreti juaj?
Kujdesem mjaft për veten në mënyrë që të jem e shëndetshme. Nuk lejoj të më shpëtojë asnjë detaj. Duke filluar nga dieta dhe ushtrimet fizike, që janë pjesë e pandarë e imja.

Çfarë mendoni për operacionet plastike, do të bënit një të tillë?
Nuk jam kundër tyre, mendoj që çdo njeri duhet të bëj atë që e bën të ndihet më mirë. Nëse kjo do të thotë të bësh një ndërhyrje të tillë, atëherë nuk ka asnjë problem. Personalisht nuk do të bëja ndërhyrje, pasi ndihem mirë kështu si jam.

Si është jeta private juaja në këto momente, keni dikë në krah?
Jo, nuk kam një person në krah. Për momentin jam e fokusuar te muzika dhe në projekte të reja.
A tremben meshkujt nga femrat e suksesshme, ka pasur raste që fama juaj ju ka dëmtuar një lidhje dashurie?
Fama nuk ka pasur asnjëherë ndikime të tilla tek unë. Mendoj që dhe mund të kenë, nuk e di, nuk e kam përjetuar personalisht.
(Indeksonline)

Sheila: “Më Kanë Quajtur Pornostare”